Foto: Atdhe Mulla

65 Ankesa në PZAP për Rezultatet e Zgjedhjeve

Numri i ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit ka arritur në 65.

Numrin e ankesave të arritura në PZAP e bëri të ditur për KALLXO.com Mulë Desku, kryeshef i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Nga 65 ankesat e dorëzuara në PZAP, sipas Mulë Deskut, 22 janë të Koalicionit PDK- AAK- Nisma, 19 të Koalicionit LDK- AKR- Alternativa, 11 të Listës Serbe dhe 2 të Vetëvendosjes.

Edhe partitë më të vogla janë ankuar. Partia Liberale Egjiptiane ka dorëzuar 3 ankesa, sa edhe Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Partia e Serbëve Kosovarë.

Partia e romëve KNRP ka paraqitur dy ankesa.

Muharrem Nitaj, Fatmir Xhelili, Myzejene Selmani, Mexhide Mjaku- Topalli, Fadil Beka, Xhavit Zariqi, Muhamet Bojku, Zhendrit Bardheci, Jollxhi Shala, Fikrim Damka dhe Labinotë Demi- Murtezi, janë disa nga kandidatët për deputetë të cilët kanë parashtruar ankesë në PZAP.

Ankesat lidhen me mospërputhje të rezultateve në vendvotime.

KALLXO.com raportoi gjithashtu sot se po për mospërputhje të rezultateve janë ankuar në PZAP tre kandidatë nga koalicioni PDK-AAK-Nisma.

http://kallxo.com/tre-kandidate-te-pdk-aak-nisma-ankohen-ne-pzap-per-rezultatet/

Gjatë ditës së djeshme KQZ-ja bëri të ditura rezultatet përfundimtare të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit.

http://kallxo.com/kqz-shpalli-rezultatet-e-zgjedhjeve/

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezin, për të pyetur nëse këto ankesa do të jenë pengesë për certifikimin me kohë të rezultateve.

Elezi tha se KQZ do të presë PZAP-in dhe Gjykatën Supreme lidhur me ankesat për të proceduar më pas certifikimin e rezultateve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe më pas edhe të Gjykatës Supreme lidhur me ankesat eventuale për të proceduar tutje drejt certifikimit te rezultateve te zgjedhjeve”, tha Elezi.

Kandidatët për deputetë dhe subjektet politike kishin të drejtë ankesë deri sot në orën 14:00.

Shqyrtimi i këtyre ankesave do të bëhet brenda 72 orëve, ndërsa pas shqyrtimit të tyre do të certifikohet rezultati i zgjedhjeve.

KALLXO.com shkroi sot për rrugën që duhet kaluar deri te certifikimi i zgjedhjeve.

http://kallxo.com/rruga-deri-te-certifikimi-rezultateve-te-zgjedhjeve/