168 Milionë Euro Borxh më Shumë

Të dhënat për borxhin e përgjithshëm i publikoi Ministria e Financave.

Borxhi publik në nëntë muajt e parë të 2015-ës arriti në 12.47 për qind të Bruto Produktit Vendor, ndërsa në shtator të 2014-ës vlerësohej në 10.18 për qind të bruto produktit.

Kosova në bazë të të dhënave të Ministrisë së Financave ka më shumë borxh ndërkombëtar se të brendshëm. Borxhi ndaj organizatave ndërkombëtare është 367.23 milionë euro, ose 6.27 për qind e Bruto Produktit Vendor.

Borxhi i brendshëm arrin vlerën e 352.25 milionë eurove, ose 6’02 për qind të bruto produktit.

Më së shumti borxh ndërkombëtar Kosova i ka Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në shumën prej 180.99 milionë euro, ndërsa pas saj i detyrohet edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në vlerën e 132.55 milionë eurove.

Borxhi i brendshëm publik deri në tremujorin e tretë të vitit 2015 kryesisht përbëhet nga stoku i borxhit me vlerë prej 352.25 milionë euro dhe pjesa e tjetër nga emetimet e reja të letrave me vlerë në shumën prej 33.70 milionë eurosh.

Stoku i borxhit paraqet borxhin e jashtëm dhe të brendshëm që ende nuk është shlyer.

Edhe pse borxhi i Kosovës është rritur për 168.55 milionë euro në nëntë muajt e parë të 2015-ës, niveli i borxhit të përgjithshëm e bën Kosovën vendin me shkallën më të ulët të borxhit publik në rajon.

Mesatarja e këtij borxhi në vendet e Evropës Juglindore ishte rreth 57.3 për qind e Bruto Produktit Vendor, përderisa Kosova ka borxh në vlerën e 12.47 të bruto produktit.

Gjatë 2014-ës borxhi publik në vendet e rajonit në krahasim me Bruto Produktin Vendor u rrit në vlerën e 2.1 për qind, ndërsa në Kosovë kjo rritje nuk shkoi më shumë se 1.5 për qind e bruto produktit.

Banka Botërore në raportin e saj të fundit thotë se borxhi publik i Kosovës është ende i vogël, por po shënon rritje të shpejtë.

Sipas Ligjit për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e Borxhit të Përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Borxhi publik i Kosovës përbëhet nga borxhi shtetëror, borxhi i nënhuazuar dhe garancitë. Kosova ende nuk ka borxh komunal.