Nga zgjedhjet e mëhershme | Foto: KALLXO.com

1600 Shkelje në Zgjedhjet e 2010-ës

Nga konferenca “Të drejtat e Njeriut në Epokën Digjitale” ku u prezantua punimi për “Fshehtësinë e Votës dhe Përpunimin e të Dhënave të Votuesit”, doli se më së shumti shkelje e parregullsi u shënuan në zgjedhjet e vitit 2010.

“1600 raste të raportuara, prej të cilave 32 janë cenim i votës së fshehtë janë regjistruar gjatë këtyre zgjedhjeve”, thuhet në këtë projekt.

Këto zgjedhje ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christopher Dell i kishte quajtur zgjedhje të kryera me vjedhje industriale të votës.

Në konferencë ku u prezantua raporti lidhur me fshehtësinë e votës, i financuar nga Bashkimi Europian nëpërmjet Zyrës së BE-së në Kosovë, deputetja e Nismës Valdete Bajrami konstatoi se në Kosovë shkelen të drejtat e njeriut.

“E them me plot përgjegjësi se institucionet e Kosovës kanë dështuar pasi që jemi dëshmitarë që në mënyrë drastike shkelen të drejtat e njeriut në Kosovë”, tha Bajrami.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Blerim Rexha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Ai propozoi që në Kosovë votimi të fillojë të bëhet në mënyrë elektronike.

“Ne ende nuk e kemi përdorur votimin elektronik, i cili duhet të trajtohet pasi që me të filluar ky votim ne rrisim gjithpërfshirjen”, tha Rexha.

KALLXO.com në vitin 2014 shkroi për një proces gjyqësor në lidhje me parregullsiotë e zgjedhjeve të vitit 2010.

Akuzohen për Mashtrim në Zgjedhjet 2010 (TV)

Projekti i paraqitur sot ka për qëllim të adresojë cenimet e të drejtave të njeriut, lirive dhe demokracisë që janë shfaqur apo përkeqësuar në kohën e zhvillimit teknologjik në Kosovë.