16 gazetarë u sulmuan në Kosovë gjatë vitit 2018-të

Në konferencën vjetore “Treguesit për nivelin e lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve” e cila organizohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u publikua raporti “Liria e mediave dhe siguria e gazetarëve”.

Ky hulumtim tregoi që kërcënimet zakonisht po bëhen ndaj gazetarëve hulumtues dhe ajo që është shqetësuese sipas këtij raporti, këto kërcënime kryesisht po bëhen nga zyrtarë komunal, pronarë kompanish, por edhe sulme nga qytetarë të pakënaqur gjatë raportimit të gazetarëve për probleme të ndryshme.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu tha se raporti për lirinë e gazetarëve që është publikuar këtë muaj tregon se Kosova ka përparuar në këtë drejtim kundrejt vendeve të rajonit, mirëpo siç u shpreh ai, “siguria e tyre qëndron mbi të gjithë, në një mënyrë apo tjetër”.

Miratimi i ligjit të ri të sinjalizuesve është një hap para sepse i siguron qytetarët që të japin informacione tek gazetarët, tha ai.

“Arsyeja kryesore e sulmeve ndaj gazetarëve vazhdon të jetë gazetaria hulumtuese. Këtë vit kishim 13 raste të sulmeve, por fatkeqësisht ne kemi gjetur edhe tre të tjera, pra janë 16. Nuk është numër i madh por me rëndësi të madhe për ata individualisht prandaj duhet marrë seriozisht”, u shpreh Shefi i Misionit të OSBE-së.

Ndërkaq, kur jemi tek trajtimi i këtyre rasteve nga Policia e Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët, Braathu theksoi se ka vërejtur përmirësime konkrete.

Mirëpo, përveç kërcënimeve me të cilat gazetarët ballafaqohen gjatë raportimeve, ai shtoi se të papranueshme janë edhe ato që bëhen brenda mediumeve ku ata punojnë e që sipas tij, nuk po përmenden.

“Katër mediume janë gjobitur për shkelje të të drejtave të gazetarëve. OSBE natyrisht që i mbështet këto zhvillime sepse janë pjesë e një shoqërie demokratike. Është më e rëndësishme që ju e publikuat këtë raport se sa po ta publikonte OSBE”, përfundoi Braathu.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi tha se Gjykata të cilën ajo përfaqëson gjatë këtij viti ka rritur nivelin e transparencës në komunikim me gazetarët.

Ajo gjithashtu përmendi që janë duke punuar që të gjitha vendimet e gjyqtarëve të bëhen publike.

“Edhe pse ende po vazhdon mendimi që gjyqësori është i prekshëm dhe kjo përshtypje është reflektuar edhe në raportin e Komisionit Evropian. Administrimi i drejtësisë në përgjithësi në Kosovë vazhdon të mbetet i ngadalshëm”, ka thënë gjyqtarja Bytyqi.

“Mediat janë partnere në punën tonë”, kështu tha drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova ku tregoi se Policia e Kosovës po punon vazhdimisht që të përmirësohet në bashkëpunimin me media në mënyrë që të parandalojnë sulmet dhe të trajtojnë rastet e tyre.

Ai gjithashtu tha se rastet e kërcënimeve të gazetarëve trajtohen nga nivele më të larta në Policinë e Kosovës, prandaj edhe kanë caktuar një koordinator që është përgjegjës vetëm për rastet e tyre.

“Në vitin 2017 kemi trajtuar 29 raste. Në vitin 2016 kanë qenë 21 raste, ndërsa në vitin 2018 kemi 12 raste. 11 raste janë kanosje ndërsa një rast është hyrje e paautorizuar në sistem kompjuterik. Policia e Kosovës fton gazetarët që të raportojnë të gjitha rastet sa herë që keni presione apo forma të tjera të cilat pengojnë punën e juaj”, deklaroi Shillova.

Hulumtuesi i AGK-së, Petrit Çollaku tha se mungesa e ligjit për transmetuesin publik po i shkakton RTK-së telashe të ndryshme dhe se këtë vit pavarësia editoriale e saj vazhdon të jetë e dobët sepse siç përmendi ai, “ka ndërhyrje politike dhe ka raste kur ka ndërhyrje drastike politike”.

Çollaku tregoi që ky hulumtim gjithashtu ka gjetur se kushtet e punës së gazetarëve në Kosovë nuk janë të përshtatshme dhe se shpeshherë nuk raportohen nga ta.

“Deri me 2 dhjetor janë bërë 16 raste në AGK. Janë dy sulme fizike, njëri koleg është sulmuar në Veri të vendit, një sulm tjetër ka ndodhur në oborrin e QKUK-së. Është edhe një dëmtim prone, një veturë e një kolegeje”, deklaroi Çollaku.

Sipas autorit të këtij hulumtimi, shqetësuese janë rastet kur kërcënuesit janë zyrtarë komunal siç ka ndodhur me tre gazetarë gjatë këtij viti.

“Rasti i një kryetari të komunës i cili e thërret në telefon gazetarin dhe e kërcënon. Po ashtu ka kërcënime që janë bërë nga pronarë kompanish, qytetarë të pakënaqur. Ka pasur kërcënime përmes rrjeteve sociale. Kemi pasur dy raste kur sigurimi i Kuvendit të Kosovës ka dëbuar gazetarët”, tregoi tutje ai.

Anëtarja e bordit të AGK-së, Besiana Krasniqi tha se kanë kërkuar nga prokuroria që rastet e sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet.

“Ajo që është pozitive është ngritja e guximit të gazetarëve që të raportojnë për shkeljet e përditshme që u bëhen nga pronarët e mediumeve ku ata punojnë”, tha Krasniqi.

Ky është viti i tretë i publikimit të raportit për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë.