Onkologjia photo

 1500 raste të reja me kancer në Kosovë

Rreth 1500 mijë persona janë diagnostifikuar me sëmundjet të kancerit gjatë vitit 2018-të. Kjo u bë e ditur në Ditën Botërore kundër kancerit e cila u shënua nga Insituti i Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gjatë prezantimit të rezultateve të punës për vitin 2018, drejtori i Onkologjisë,  Ilir Kurtishi, tha se brenda kësaj kohe janë paraqitur më shumë se 1 mijë raste të reja me kancer.

“Në vitin që po e lëmë pas, kishte diku 1500 raste, që i bie se është njëjtë me vitet 2016-2017, kështu që nuk kemi një trend alarmant të rritjes, në krahasim me këto tri vitet e fundit”, tha Kurtishi.

Sipas raportit të punës, në 12 muajt e vitit të shkuar, janë identifikuar 340 raste me kancer në gji, 206 me kancer në mushkëri, 312 me kancer në zorrë të trashë, 376 raste urogjenital-gjinekologjik dhe 249 raste me kancer në kokë, qafë, inde të buta dhe të tjera.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, u premtoi përkrahjen e pa rezervë për krijimin e kushteve edhe më të mira për stafin mjekësor në ofrimin e shërbimeve cilësore.

“Ajo që është shumë me rëndësi, për ditën kundër kancerit, vitin e kaluar, ka filluar shërbimi 24 orë për trajtimin e pacientëve të hospitalizuar. Kjo është një ndihmë e madhe për pacientët, për xhepin e tyre dhe për buxhetin e SHSKUK-së, por edhe të Ministrisë së Shëndetësisë”, deklaroi Sejdiu.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha tha se dita botërore e kancerit është përkujtim dhe angazhim nga të gjithë për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

“Sëmundja e kancerit kërkon trajtim multidisiplinar, kërkon tretman të shumë shtresave të shoqërisë. Prandaj, në të gjitha drejtimet, duhet të përkushtohemi në luftën kundër kancerit. Të gjitha institucionet duhet të jenë të përfshira në një luftë të tillë”, tha Berisha.

Në Klinikën e Onkologjisë në vitin 2018 janë realizuar 120-230 raste ambulatore në kimioterapi me kosto mujore 600 mijë euro shërbime. Brenda një viti janë kryer mbi 32 mijë vizita të ndryshme mjekësore.