Konferenca e KDI-së dhe rekomandimet për luftimin e korrupsionit, Foto: Kallxo.com

15 Rekomandime nga KDI për Luftimin e Korrupsionit në Kosovë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar 15 rekomandime për institucionet e Kosovës për hapat që duhet të ndërmerren në luftën kundër korrupsionit.

Florent Spahija nga KDI-ja tha që këto 15 pika duhet t’i kenë parasysh institucionet e Kosovës, duke filluar nga qeveria, gjykata dhe prokuroria.

Kurse Diana Metushi – Krasniqi theksoi që është e nevojshme t’i adresojnë këta hapa, pasi qytetarët çdo ditë dëgjojnë me fjalë që po luftohet korrupsioni, por në praktikë është bërë shumë pak në këtë aspekt.

“Ka vite që qytetarët dëgjojnë që po luftohet korrupsioni, por në praktikë është bërë pak për këtë. Në gjitha raportet ndërkombëtare Kosova më së shumti lufton në këtë pikë”, ka thënë Metushi – Krasniqi.

Rekomandimi i parë nga KDI është që gjykata duhet të përfundojë rastet “Toka”, “Stenta” dhe ato të Shukri Bujës, Sami Lushtakut, Arben Gjukës e Hysni Hoxhës, rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave e që rastet më të shumta i ka Gjykata Themelore në Prishtinë.

“KGJK duhet t’i ndihmojë gjyqtarët sa më shumë në këto raste”, ka thënë Spahija.

BIRN në muajin mars publikoi raportin për rastet e shënjestruara për liberalizim vizash.

‘Liberalizimi i Korruptuar’, Rastet Gjyqësore Nga të Cilat Varet Liberalizimi

Rekomandimi i dytë është veprimi i menjëhershëm në rastin e autostradës, shitjen e KEDS-it dhe dështimin e privatizimit të Postës.

“Prokuroria duhet të kujdeset të sekuestrojë pasurinë e paligjshme dhe t’i dërgojë në gjykatë. Të bëhet dekriminalizimi i Policisë, kemi nevojë për një veting brenda Policisë”, janë dy rekomandime të tjera të KDI-së për luftimin e korrupsionit.

Po ashtu ndër rekomandimet e propozuara është edhe që Kuvendi duhet t’i detyrojë partitë që financat e tyre t’i bëjnë publike online që çdo qytetar të ketë qasje në to.

“Detyrimi i ndërmarrjeve publike të jenë transparente, depolitizimi i institucioneve të prokurimit, OSHP-së dhe KRPP-së, të plotësohet Bordi i OSHP së që operon me 3 anëtarë nga 5 që duhet t’i ketë”, vazhdojnë rekomandimet e KDI-së.

Në konferencën për shtyp të KDI-së u tha që po ashtu institucionet duhet të fillojnë vetingun për të gjithë zyrtarët që punojnë në prokurim publik, qeveria dhe kuvendi duhet të veprojnë shpejt në miratimin e rregullave të reja, kodi penal duhet të sheh si vepër penale humbjen e parasë dhe pronës publike.

“Të bëhet hapja e të gjitha kontratave që realizohen me paranë publike, hapja e informatave për gazetarë dhe shoqërinë, Agjencia Kundër Korrupsion të mos bëjë kërkesë për mbyllje  e pjesshme të informacioneve por të merret me verifikimin e tyre”, u tha në konferencën e KDI-së.

Pak më herët u raportua që AKK ka raportuar që paratë e gatshme të zyrtarëve do të bëhen publike.

http://kallxo.com/akk-nderron-mendje-parate-e-gatshme-te-zyrtareve-do-te-behen-publike/