15 Muaj Burgim për Aksidentin me Fatalitet në Klinë

Me pesëmbëdhjetë muaj burgim është dënuar sot Alban Kastrati për aksidentin e rëndë të komunikacionit që e ka shkaktuar në Klinë më 18 dhjetor të vitit të kaluar. Aksidenti kishte përfunduar me fatalitet për njërin prej dy të dëmtuarve.

Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, e gjeti fajtor të akuzuarin Alban Kastrati për veprat penale “rrezikim i trafikut publik” dhe “lëndim i lehtë trupor”.

“Gjykata e shpall fajtor Alban Kastratin dhe e dënon me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajsh. Dënimin i akuzuari mund ta mbajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Koha e kaluar në paraburgim, prej një muaji, do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar”, ka thënë gjykatësi Prekë Palushi.

Përveç këtij dënimi, gjykatësi i shqiptoi të akuzuarit edhe dënimin e ndalimit të  marrjes së lejes së vozitjes, dhe drejtimit të automjetit në kohëzgjatje prej 2 vitesh nga përfundimi i mbajtjes së dënimit.

Po ashtu, Alban Kastrati u dënua edhe me gjobë në lartësi prej 130 eurosh.

Gjykata e ka marrë vendimin pasi paraprakisht prokurori Esad Muharremi e kishte lexuar aktakuzën, e cila e ngarkonte Alban Kastratin me veprat penale “rrezikim i trafikut publik” dhe “lëndim i lehtë trupor”.

Ndërsa, pas leximit të aktakuzës, i akuzuari Kastrati tha se e pranon fajësinë dhe u kërkoi ndjesë familjarëve të të ndjerit me inicialet F.H.

 “E pranoj fajësinë… Së pari do të kisha dashur t’i shpreh ngushëllimet më të  sinqerta familjes Hasanaj. Me vjen shumë keq për rastin që na ka ndodhur. Po ndihem edhe vet shumë keq. Edhe një herë ngushëllime të sinqerta”, ka thënë i përlotur Alban Kastrati.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit u pajtuan palët e dëmtuara dhe prokurori i shtetit Esad Muharremi.

Pas pajtimit lidhur me pranimin e fajësisë, gjyqtari Palushi u tërhoq për marrjen e vendimit dhe më pas e shqiptoi dënimin.

Me vendimin e gjyqtarit, familjaret e të dëmtuarve u shprehën të revoltuar.

Herën e fundit KALLXO.com, për ketë rast raportoi në  muajin dhjetor.

http://kallxo.com/vdekje-dhe-lendim-ne-aksidentin-e-klines/

Alban Kastrati akuzohej se me veturën e tij kishte goditur dy këmbësorë në vendkalimin për ta. Ngjarja kishte ndodhur më 18 dhjetor në ora 21:15 në rrugën “Abedin Rexha” në Klinë.

Dy të dëmtuarit M.B. dhe F.H. ishin dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës. Në orët e para të 19 dhjetorit, viktima F.H. kishte ndërruar jetë.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj, kishte thënë për KALLXO.com se i dyshuari me inicialet A.K. është ndaluar dhe se po hetohej.

Më tej, KALLXO.com ka raportuar më 20 dhjetor 2015 se ndaj të akuzuarit A.K. është shqiptuar paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

http://kallxo.com/30-dite-paraburgim-te-dyshuarit-per-aksidentin-ne-kline/