15 Kandidatë për Timonin e Doganave

Qeveria e Kosovës e ka emëruar Fahri Gashin ushtrues detyre të drejtorit të Doganës, deri në zgjedhjen e një drejtori bazuar në konkursin e hapur me 17 shtator. Gashi, i cili nuk ka konkurruar për postin e drejtorit, do ta udhëheqë Doganën vetëm deri në përfundim të konkursit.

Ndërkohë, në ministrin e Financave kanë aplikuar 15 kandidatë për drejtor të Doganës në konkursin që është mbyllur me datën 1 tetor.

KALLXO.COM e ka siguruar listën e kandidatëve për këtë post. Listës i prinë ish kryetari i bordit të Komisionit Kosovare të Konkurrencës, Osman Ejupi. Në listë janë edhe: Bajram Rexha, Agim Nika, Besnik Prokshi, Bahri Berisha, Albert Mirdita, Bashkim Arifi, Shipron Misini, Hamdi Hoxha, Ardian Jashari, Gazmend Maloku, Kujtim Qafleshi dhe Ekrem Grabanica.

Në mesin e kandidatëve është edhe Lulzim Rafuna, të cilit i ka përfunduar mandati të premten, më 7 tetor.

Rafuna i cili ka konkurruar për një mandat të dytë tre vjeçar në krye të Doganës, ishte emëruar në krye të këtij institucioni në vitin 2013, në kohën kur ministër i financave ka qenë Besim Beqaj. Në emërimin e parë të Rafunës prej 3 vjet mandat ka qenë opsionale për vazhdimin e mandatit edhe për 3 vjet të tjera. Por, ministria e Financave nuk e ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’ia vazhduar mandatin Rafunës pa hapur konkurs publik.

KALLXO.COM është në pritje të përgjigjeve të ministrisë së Financave për procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Doganës.

Fjalë miradie kishte folur ministri i Financave, Avdullah Hoti, për punën e Doganës dhe rritjen e vazhdueshme të të hyrave, në një konferencë për media që e kishte mbajtur së bashku me drejtorin e Doganës, Lulzim Rafunës.

Konferenca ishte mbajtur me 27 qershor, në të cilin ishte folur për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe ndikimin në të hyrat kufitare. Edhe Ambasadori i Amerikës në Kosovë Georg Delawie kishte folur fjalë të mira për punën e Doganës në luftimin e korrupsionit dhe kontrabandës.

http://kallxo.com/delawie-dogana-po-ben-pune-te-mire/

Fahri Gashi që do ta udhëheqë Doganën deri në përzgjedhjen e drejtorit të ri ka qenë pjesë e Doganës për 15 vjet.

“Ushtruesi i detyrës është oficer karriere me përvojë mbi 15 vite në Doganën e Kosovës ku ka ushtruar funksione të rëndësishme, derisa para emërimit ishte udhëheqës rajonal i  drejtorisë së regjionit të Podujevës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Dogana.

Për shkak të importit të madh dhe mbledhjes së TVSh-së në kufi, Doganat e mbushin pjesën më të madhe të buxhetit të Kosovës.