Dënimi për sulmin ndaj drejtorit | Foto: KALLXO.com

14 Muaj Burg për Sulmin ndaj Drejtorit

Gjykata Themelore në Prishtinë gjeti fajtor Naim Gashin për sulm ndaj personit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 2 muajve.

Gashi u shpall fajtor për sulm ndaj drejtorit komunal të Lipjanit, Rasim Hasanit, pas që e kishte sulmuar në zyrën e tij, sepse e kishin hequr nga lista e pagave.

Gashi u dënua me 1 vit burgim për sulmin ndaj Hasanit dhe 6 muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Si rezultat, kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj, i shqiptoi dënim unik në kohëzgjatje prej 1 viti e 2 muaj, duke llogaritur këtu edhe kohën e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Po ashtu, i akuzuari është i detyruar të paguajë edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 50 eurove, ndërsa për realizimin e kërkesës pasurore- juridike, pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civil.

Para se të bëhej shpallja e aktgjykimit, palët në procedurë thanë fjalën përfundimtare.

Prokurori Ilaz Beqiri kërkoi që i akuzuari Gashi të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Gjendja e tillë faktike u vërtetua nga deklarata e dëshmitarit dhe të dëmtuarit Rasim Hasani si dhe dëshmitarit Ismet Jashanica të cilët në mënyrë bindëse kanë përshkruar veprimet inkriminuese të të akuzuarit. Gjendja e tillë faktike vërtetohet edhe nga video- incizimi i marrë nga kamerat e cila ka qenë e vendosur në korridorin e Komunës së Lipjanit nga i cili rezulton se i akuzuari në ditën kritike me vete ka poseduar armë dhe të njëjtën ia ka drejtuar tani të dëmtuarit Rasim Hasani”, tha Beqiri.

Ndërsa Isa Salihu, avokati i Naim Gashit kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohej, pasi tha se drejtori i Arsimit nmë Lipjan kishte nxitur veprimet e të akuzuarit Gashi.

Avokati tha se kur Gashi kishte kërkuar nga Hasani sqarime për shkëputjen e kontratës, ky i fundit i ishte drejtuar me fjalët “unë ju ** nonën me laps”.

Avokati theksoi se dëshmitari Jashanica kishte vërtetuar se Gashi nuk ka poseduar armë në momentin e hyrjes në zyre të Hasanit, por vetëm telefonin.

Sipas aktakuzës, Naim Gashi më 11 tetor të vitit 2016, gjatë kohës që Hasani ishte duke qëndruar në zyrën e tij, ka hyrë në zyrë dhe e ka mbyllur derën me kyç.

Aktakuza thotë se Gashi ka nxjerrë nga brezi revolen dhe i është drejtuar Hasanit me fjalët “mos lëviz se të vras”.

Mirëpo, i dëmtuari ka arritur që t’ia largojë dorën dhe duke e kapur nga mbrapa e ka larguar nga zyra.

Njëjtë u deklarua edhe i dëmtuari gjatë marrjes në pyetje, ku për më tepër ai shtoi se me të dalë nga zyra përmes forcës, i akuzuari ka arritur ta fusë revolen në pjesën e përparme të belit.

Më pas, pas një konfrontimi në korridor, i akuzuari ka arritur të largohej nga objekti i komunës përmes shkallëve emergjente.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/akuzuari-thane-se-imri-ahmeti-urdheroi-largimin-tim-nga-puna/

http://kallxo.com/drejtori-arsimit-akuzuari-tha-ta-marr-shpirtin/