12 të vdekur në aksidente trafiku nga 15 nëntori

12 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku vetëm nga 15 nëntori e deri më 19 dhjetor të këtij viti.

Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 1 mijë e 362 aksidente trafiku në tërë rajonin e Kosovës.

Nga këto aksidente, tetë prej tyre kanë qenë me fatalitet, 519 me lëndime , ndërsa 805 aksidente me dëme materiale.

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, numri i aksidenteve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka shënuar ulje.

Në po të njëjtë periudhë gjatë vitit të kaluar, 17 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku.

Nga 1 mijë e 557 aksidente sa ishin gjithsej gjatë periudhës 15 nëntor deri më 19 dhjetor, 16 prej tyre ishin me fatalitet, 584 me lëndime, ndërsa 957 aksidente me dëme materiale.

Njëri nga aksidentet me fatalitet i cili kishte ndodhur me 16 nëntor ishte aksidenti në fshatin Mramor të Prishtinës, në të cilin ishin përfshirë tri vetura, ku mbetën të vdekur katër persona të një familjeje nga Komuna e Gjilanit.

Në këtë aksident në vendin e ngjarjes kishin vdekur vozitësi dhe një pasagjere, ndërsa dy pasagjerë të tjerë kishin vdekur në QKUK.

Përveç katër personave të vdekur, në këtë aksident lëndime trupore kishin marrë edhe gjashtë persona të tjetër katër prej tyre shtetas turq, si dhe dy persona shqiptarë.

Në po të njëjtin aksident ishte e përfshirë edhe eskorta e Ambasadores turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç, e cila ishte njëra nga të lënduarat në këtë aksident.

Blerim Igrishta, prokurori në rastin në këtë aksident kishte treguar për KALLXO.com detaje për mënyrën se si ka ndodhur aksidenti sipas ekspertëve dhe të dhënave që kishte grumbulluar Prokuroria.

“Kanë qenë tri vetura të aksidentuara, ‘BMW’ e Ambasadës, një ‘Opel Corsa’ dhe një xhip ‘Audi’. Kemi vërejtur që vetura e Ambasadës ka qenë në drejtimin Gjilan-Prishtinë, ndërsa vetura ‘Opel Corsa’ ka qenë në drejtimin prej Prishtinës për në Gjilan. Kur ka arritur në vendin kritik sipas të gjitha gjasave ‘Opel Corsa’ ka hyrë në tejkalim, në zonën ku është e lejuar. Shpejtësia e lejuar ka qenë 80 kilometra në orë dhe ka qenë me vija të ndërprera. Shpejtësia e këtyre dy veturave ka qenë në suaza të normales, përveç e veturës ‘Audi’ e cila ka qenë diku 100 km në orë”, kishte deklaruar Igrishta.

Një person tjetër kishte humbur jetën në një aksident trafiku me 24 nëntor,  në të cilin ishin përfshirë një traktor dhe një automjet në fshatin Burojë të Skenderajt.

Viktima e këtij aksidenti ishte pasagjeri i cili ndodhej në traktorin e të dyshuarit.

Mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me  kushtet e rrugës, ishe shkaktari I aksidentit të 16 dhjetorit në Ferizaj, nga i cili mbetën të vdekur dy persona.

Policia kishte thënë se ky aksident kishte ndodhur kur ngasësi i veturës Opel Tigra, 27 vjeçar, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, kishte humbur kontrollin mbi automjetin, dhe kishte dal nga rruga duke u goditur në një shtyllë.

Viktimë e aksidentit të trafikut ishte edhe një këmbësor i cili u aksidentua bashkë me bashkëshorten e tij në rrugën Podujevë- Kërrpimeh, saktësisht në fshatin Peran me 10 dhjetor.

Policia kishte njoftuar se në këtë aksident ishin përfshirë një automjet i tipit Golf V dhe dy këmbësor, Rr. M, 37 vjeçare dhe B.M, 41 vjeçar, i cili nuk ka mundur t’i përballoj plagët e mara dhe i njëjti ka  vdekur në QKUK një ditë pas aksidentit.

I dyshuari për këtë aksident, V.A., 21 vjeçar, dyshohet se kur e  kishte shkaktuar aksidentin në rrugën rajonale Podujevë- Kërrpimeh, saktësisht në fshatin Peran, po qarkullonte pa patentë shofer dhe me shpejtësi të tejkaluar në atë zonë.

Një grua tjetër ka vdekur në një aksident trafiku i cili ka ndodhur më 17 nëntor, në Malishevë.

Policia kishte njoftuar se deri te aksidenti kishte ardhur pasi që njëri nga vozitësit e njërit nga automjetet e përfshira në aksident kishte humbur kontrollin mbi automjetin, dhe kishte goditur një automjet tjetër.

Policia e Kosovës në vazhdimësi bënë apel tek pjesëmarrësit në komunikacion të ketë kujdes, e sidomos tani në sezonin dimëror.