117 Kuti Votimi në Rinumërim Shkaku i Ankesave

Në një konferencë për medie Desku tha se kanë pranuar gjithsej 66 ankesa prej të cilave 40 janë miratuar dhe 26 ankesa janë refuzuar.

“Në PZAP nga kandidatët dhe të tjerë janë paraqitur 66 ankesa. Nga koalicioni PDK-AAK-Nisma janë paraqitur 23 ankesa prej tyre janë miratuar 20, 3 ankesa janë refuzuar. Koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka paraqitur 19 ankesa, 9 ankesa janë miratuar dhe 10 janë refuzuar, Lista Serbe, ka paraqitur 11 ankesa 9 janë aprovuar 2 janë refuzuar”, tha Desku.

Desku shtoi se 24 ankesa janë hetuar nga Qendra e Numërimit të Rezultateve.

“Në QNR ka kryer hetimin në tri ekipe, në përbërje të këtyre ekipeve kanë qenë nga tre persona dhe gjyqtarë”, tha ai.

Sipas tij, PZAP ka miratuar si të bazuara 18 ankesa, për të cilat do të rinumërohen 100 kuti votimi.

“PZAP gjithashtu ka miratuar si të bazuara edhe 18 ankesa pa i hetuar në QNR, për 18 ankesa ka marrë vendim dhe ka urdhëruar komisionin qendror që të bëjë rinumërimin e kutive për këto 18 ankesa mirëpo këto ankesa kanë një numër të madh të kutive të votimit numri i të cilave është 100 kuti”, tha ai.

Po ashtu PZAP ka dënuar 14 kryesues të vendvotimeve për 5 vjet, duke iu ndaluar të drejtën të jenë pjesë administrative për zgjedhje.

“Këto raste të këtyre kryesuesve paneli i PZAP do ti dërgoj në prokurorinë e shtetit për hetime të mëtejmë”, tha ai.

Adnan Konushevci, anëtari i PZAP-së, tha se gabimet gjatë procesit të numërimit kanë shkaktuar rinumërimin e 117 kutive.

“Ne i kemi kthyer sot 117 vendvotime në rinumërim, krejt këto janë për shkak të gabimeve të KVV-ve në vendvotime. Të gjitha këto rinumërime nuk kishin qenë aspak nëse do të kishë pasur kujdes gjatë procesit të numërimit”, tha Konushevci.