116 Amendamente Projektligjit për Patentë-Shofer

Mbledhja e komisionit filloi me vonesë, ndërsa në të u lexuan ndryshimet e propozuara të Projekligjit për Patentë-Shofer.

Raif Qela, anëtar i komisionit dhe kryesues i Grupit Punues për Plotësim-Ndryshimin e Ligjit për Patentë-Shofer tha se ligji aktual në përmbajtje ka probleme gjuhësore dhe paqartësi gjatë leximit.

“Projektligji ka pasur nevojë për ndërhyrje. Shpeshherë ligjet janë aq shumë të ngarkuara dhe kanë probleme me sintaksën, nuk kanë shumë qartësi. Ne kemi propozuar disa ndryshime, kemi diku rreth 116 amendamente të Ligjit për patentë-shofer ku pjesa dërrmuese janë teknike. Sot do t’i shqyrtojmë vetëm ato përmbajtjesore,” tha Qela.

Amendamentet përmbajtjesore kishin të bëjnë kryesisht me profesionalizmin e zyrtarëve nga Ministria e Infrastrukturës të cilët trajnojnë instruktorët teorikisht dhe praktikisht për të shtuar sigurinë në komunikacion.

Neni i ri i ligjit kërkonte që personat të cilët përpilojnë pyetësorët për testimin e instruktorëve dhe shoferëve të rinj të jenë me magjistraturë nga lëmi i inxhinierisë së komunikacionit.

Po ashtu në ligjin e ri u propozua që instruktorët e rinj përveç licencës për instruktorë duhet ta kenë të përfunduar shkollimin e lartë, përderisa instruktorëve aktualë duhet t’u vazhdohet licenca deri në pensionimin e tyre sepse sipas Ministrisë së Infrastrukturës(MI) pjesa dërrmuese janë me shkollim të mesëm.

Sipas ndryshimeve të ligjit personat të cilët duhet t’i trajnojnë instruktorët duhet të kenë së paku nivelin bachelor dhe përvojë pune 5 vjeçare.

Ndryshimi tjetër që pritet të bëhet me ligjin e ri për patentë-shofer është që instruktori i shoferëve të rinj të mos jetë nën moshën 25 vjeçare, përderisa në ligjin e vjetër ka qenë nën moshën 23 vjeçare.

Po ashtu pjesën teorike për shoferë të rinj nuk mund ta ligjërojnë personat me fakultete të lëmenjve tjerë, pos inxhinieri të komunikacionit.

Me disa ndryshime nuk u pajtuan zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës për arsye të mungesës së profesionistëve në tregun e punës.

Nebi Shatri nga Departamenti i Patentë-Shoferëve në këtë ministri, tha se kufizimi i lëmenjve të shkollimit për ligjëruesit do ta vështirësojë punën e autoshkollave.

“Neve si ministri na shqetëson ky fakt-kushtëzimi i shkollimit, sepse në treg kemi shumë pak profesionistë të kësaj lamie, por edhe disa që i kemi të cilët kanë diplomuar në universitetet private gjatë intervistave që i kemi me ta kemi vërejtur se nuk janë shumë të përgatitur, e me ligjin e ri do t’i dëmtojmë autoshkollat si biznese private,” tha Shatri.

Pavarësisht vërejtjeve,  komisioni këmbënguli që shoferët e rinj duhet të trajnohen nga profesionistët për të shtuar sigurinë në rrugë, sepse sipas statistikave zyrtare shumica e aksidenteve vijnë nga faktori njeri.

Amendamentimet e neneve pritet të votohen në mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni.

KALLXO.com shkroi vitin e kaluar se ligji i ri për patentë-shoferë do të shtojë shpenzimet për marrjen e këtij dokumenti.

http://kallxo.com/ligji-i-ri-rrit-shpenzimet-per-patent-shoferi/