Burimi: ASK

1,110 Martesa u Prishën në Vitin 2016

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) thonë se gjatë vitit 2016, 1 mijë e 110 çifte i kanë dhënë fund martesës së tyre.

Këto të dhëna janë grumbulluar nga Gjykata Themelore e Kosovës të cilat janë përfshirë ne raportin për “Statistikat e Shkurorëzimeve në Kosovë 2016” të ASK-së.

“Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2016, janë shkurorëzuar 1,110 çifte bashkëshortore”, thuhet në raportin e ASK-së.

Përveç statistikës së përgjithshme, raporti ofron edhe të dhëna për çiftet e shkurorëzuara. Raporti thotë numri më i madh i shkarëzimeve bëhet në vitin e parë të martesës.

“Sipas kohëzgjatjes së martesës, dominonte viti i parë me 15.2%, viti i dytë me 12.6 % dhe më pak se një vit 8.7% të të shkurorëzuarve”, thuhet në raport.

Shkurorëzimet sipas grup-moshave, dominonin femrat e moshës 25-29 vjeçare me 230 shkurorëzime, ose 20.7%. Kurse, te meshkujt dominojnë moshat 30-34 vjeçe me 233, ose 21.0%.

Ndërkaq, numri më i madh i bashkëshortëve të shkurorëzuar janë pa fëmijë me 65.8%, pastaj vijnë me dy fëmijë me 12.5% dhe me një fëmijë me 11.0%.