100 Bursa nga Gjermania për UP-në

Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani dhe Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare (OEGjK) organizuan ceremoninë e ndarjes së 100 bursave për studentet e Universitetit Publik të Kosovës “Hasan Prishtina”.

Kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani Nazmi Viça tha se këto bursa janë një investim në dije dhe në mbështetjen integruese të emancipimit të femrës.

“Kontributi ynë nuk do të ndalet me kaq. Studenteve shqiptare që ua kanë mësyrë studimeve u urojmë shumë suksese dhe i inkurajojmë të që vazhdojnë me vendosmëri dhe se mbështetja jonë nuk do të mungojë,” tha Viça.

Arsim Bajrami ministër i Arsimit tha se këto bursa janë një shembull i mirë që po investohet në zhvillimin e vendit.

“Ky është një shembull i mirë se si duhet të investohet në dije dhe në zhvillimin e vendit. Investimi në standardin e studentit dhe krijimi i kushteve për studime është një parakusht për një shoqëri të re siç është Kosova, për promovimin e një gjenerate të re që nesër do të marrë barrën në zhvillimin e vendit,” tha ministri Bajrami.

Po ashtu, ai tha se këto procese do të kenë mbështetje të vazhdueshme nga ministria që ai drejton.

Njëqind bursat janë ndarë vetëm për ato vajza që kanë sukses të mirë të studimeve. Ndarja e këtyre bursave bëhet për herë të dytë, në vitin e parë janë ndarë 36 të tilla.

Përfitueset do të marrin nga 100 euro në muaj për një vit të studimit.