Azem Syla. Foto: Atdhe Mulla

Më 1 Shkurt Azem Syla Përsëri Para Gjyqit

Azem Syla dhe të tjerët në Rastin “Toka” do të dalin para gjyqit përsëri më 1 shkurt.

Lajmin për caktimin e seancës në ditën e parë të shkurtit e bëri të ditur për KALLXO.com avokati Afrim Salihu.

Seanca e sotme në rastin e ish-deputetit të PDK-së u mbyll për publikun, pasi avokati Besnik Berisha e kërkoi një mbyllje të tillë për të diskutuar rreth përfshirjes së gjyqtarit të Gjykatës Speciale Vladimir Mikula në trupin gjykues të rastit “Toka”.

Berisha u pyet nëse do të kërkonte përjashtimin e Mikulës nga ky gjykim, por avokati preferoi që për këtë çështje të diskutohet në seancë të mbyllur.

Berisha tha se nëse Gjykata Speciale fillon punën para përfundimit të procesit ndaj Sylës dhe të tjerëve, Mikula do të tërhiqet.

Avokati Salihu tha se kryetari i trupit gjykues i ka dhenë afat avokatit Berisha që deri të premten të dërgojë kërkesë me shkrim për përjashtimin e një anëtari të trupit gjykues.

KALLXO.com shkroi sot për mbylljen  e seancës në Rastin “Toka” dhe për caktimin e gjyqtarit të Speciales në këtë çështje.