Helena Kadare në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Shkrimtarja Helena Kadare ‘rrëfehet’ para profesorëve dhe studentëve në Prishtinë

Shkrimtarja Helena Kadare zhvilluar sot një takim me stafin akademik dhe studentë të Fakultetit Filozofik të UP-së në kuadër të vizitës së saj në Kosovë.

Gjatë takimit, shkrimtarja Kadare ka folur edhe për letërsinë, punën e saj si gazetare, redaktore, përkthyese dhe mbi të gjitha privilegjet dhe sfidat e të qenit bashkëshorte e njërit nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe.

Kadare i është përgjigjur interesimit të audiencës lidhur me shumë aspekte nga jeta dhe krijimtaria e saj, veçmas ajo që ka të bëjë me bashkëshortin e saj, shkrimtarin Ismail Kadare.

Pavarësisht fakti se sot konsiderohet si një nga gratë më të njohura dhe më të suksesshme shqiptare, sidomos në letërsi, zonja Kadare, nuk e ka pasur të lehtë rrugëtimin e saj drejt suksesit.

Rritja e fëmijëve, obligimet familjare, ishin sfidë për shkrimtaren Kadare e cila siç edhe e pohoi vetë, ‘e liroi’ tërësisht bashkëshortin e saj Ismailin nga obligimi, me qëllim që të mos e ‘trazonte’ shkrimtarin e madh me problemet me të cilat ballafaqoheshin atë kohë familjet shqiptare në kohën e Shqipërisë komuniste.

“Ismaili ishte liruar nga obligimet familjare me qëllim që të lihej i qetë në punën e tij. E kam pasur shumë të vështirë  pas viteve të ’80-ta në  Shqipëri, kushtet e jetesës ishin të vështira, sidomos me fëmijë të vegjël”, ka thënë ndër të tjera Kadare, duke shtuar se obligimet familjare jo pak kanë ndikuar në krijimtarinë letrare.

Ndërsa ka pohuar se Kadare ka pasur një ndikim në krijimtarinë e saj, pasi siç është shprehur ajo, Ismaili ishte lexuesi i parë i shkrimeve të saj dhe me sugjerimin e tij ajo hiqte apo përmirësonte fletë të tëra në shkrimet e saja.

“Kështu ka ndodhur edhe në librin me kujtime, ‘Kohë e pamjaftueshme’, ku me sugjerimin e Ismailit kanë hequr rreth 100 faqe, pasi ai i konsideronte të parëndësishme”, ka thënë ajo, duke shtuar se ajo nuk ka ndikuar në krijimtarinë e bashkëshortit, përveç se ndonjë këshillë në kohën e komunizmit, për shkak të rrethanave të kohës.

Shkrimtarja ka folur edhe për letërsinë, punën e saj si gazetare, redaktore, përkthyese dhe mbi të gjitha privilegjet dhe sfidat e të qenit bashkëshorte e njërit nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe.

Më tej ajo ka ndarë shumë kujtime gjatë vizitave të saj në Kosovë, sidomos ato të bëra gjatë fillim viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar. Kontributi që ka dhënë çifti Kadare në çështjen dhe lobimit për Kosovën, gjatë kohës luftës së Kosovës, sidomos takimet që ka pasur Ismail Kadare me personalitete shtetërore, akademike dhe kulturore të shtetit francez.