Shkrimtari francez lavde Thaçit: Europa duhet të ketë një të tillë në krye të saj

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është më meritori për çlirimin dhe kontributin në shtetndërtimin e Kosovës. Madje ai mund të krahasohet edhe me liderët e kombeve të mëdha që u prinë lëvizjeve për çlirimin e popujve.

Thaçi si përfaqësues politik i UÇK-së e më vonë si kryeministër dhe tash president u tregua burrështetas i vërtet dhe mjaft bashkëpunues me ndërkombëtarë dhe një menaxhues i situatave të ndjeshme të pasluftës, sikurse ishte çarmatosja e UÇK-së dhe shndërrimi i saj në TMK.

Këto vlerësime për presidentin Hashim Thaçi u thanë sot gjatë promovimit të monografisë “Lindja e një demokracie, Hashim Thaçi dhe rruga drejt Kosovës së pavarur, 1987-2008″, të autorit francez Jacques Baudouin.

Mandej u tha se Europës i duhet një lider sikurse Thaçi. Në këtë promovim, presidenti u cilësua si një vizionar i zoti.

Libri është në promovuar në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë dhe trajton etapat kryesore të zhvillimeve që kanë karakterizuar Kosovës që nga fillimi i viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar e deri më sot, duke e ndërlidhur presidentin Thaçi si personin kryesor dhe më meritor të këtyre zhvillimeve.

Shkrimtari francez, Baudouin, ka thënë se arsyet që kanë shtyrë të shkruaj librin dhe trajtimi i zhvillimeve që kanë karakterizuar Kosovën gjatë asaj kohe ka qenë për të treguar të vërtetën, sidomos për publikun francez.

Ndërsa ka shtuar se është shumë i rëndësishëm tregimi për historinë e Kosovës, veçanërisht kontributi i Thaçit në këtë mes, siç ka thënë ai një lider që po lind dhe përshkroi pastaj meritat, që sipas Baudouinit, i takojnë dhe karakterizojnë presidentin kosovar si figura kyçe e atyre lëvizjeve.

Ai ka thënë se është impresionuar nga figura e Thaçit, sepse nuk është shumë e zakonshme të kemi një prijës politik me një vizion sikurse presidenti kosovar.

“Është shumë e rëndësishme për Europën që të ketë një burrështetas të këtij niveli në krye të saj. Një pjesë e paqes është e lidhur me Kosovën dhe bie mbi supet e Thaçit”, ka thënë ndër të tjerash Baudouin.

Ndërkaq Dan Everts ish –ambasadori i OSBE-së ka pohuar se Kosova ka bërë përparime të mëdha në raport me 20 vjet më parë, që nga hyrja e trupave të NATO-s.

“Është mirë që shkruajmë për atë kohë, që të mos lejojmë që paraqitësitë apo shtrembërimet për atë kohë të zënë vend”, ka thënë ai , duke kujtuar edhe ngjarje me rëndësi për ditën e para të çlirimit të Kosovës.

Për librin kanë folur historianët Nuri Bexheti e Ibrahim Gashi, sipas të cilëve monografia  “Lindja e një demokracie” është një pasqyrë reale e asaj që ka kaluar Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë më 2008.