RTK - Foto: Atdhe Mulla

Shkon në Kuvend raporti vjetor i RTK-së, deputetët duan të dinë për borxhet

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media miratoi kalimin për leximin të parë në Kuvend të raportit vjetor të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2017.

Kalimin në leximin e parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e aprovuan të gjithë deputetët e pranishëm.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani, tha në mbledhjen e Komisionit  se nuk do ta kalojnë këtë raport në Kuvend, nëse nuk do bëhet rregullimi i skemës programore të kanalit numër 2 në RTK, sipas ligjit.

Sipas tij, kanali numër 2 i RTK-së, i cili transmeton program në gjuhët e komuniteteve pakicë, nuk e respekton ligjin për Radio Televizion Publik të Kosovës sepse në këtë kanal nuk është përfshirë edhe komuniteti shqiptar.

“Është i përfshirë komuniteti rom, ashkali, egjiptian, boshnjak por jo ai shqiptar dhe neni 8 pika 3 thotë se të dy kanalet janë të detyruara të ndajnë 15% të skemës së tyre programore për gjuhët e komuniteteve tjera të Kosovës”, tha ai.

E kryetarja e bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi tha se kanë kërkuar që në kanalet tjera të ndajnë 15% të skemës programore për komunitete tjera, por nuk e kanë përfshirë në kanalin 2 komunitetin shqiptar për shkak se ka hapësirë të mjaftueshme në kanalet 1, 3 dhe 4.

Nait Hasani tha se me Kushtetutë të Kosovës RTK ka vetëm dy kanale zyrtare.

“Me Kushtetutë kemi vetëm kanalin 1 dhe 2, nëse nuk e respektoni 15% ne nuk e kalojmë këtë raport”, tha ai.

Afërdita Maliqi tha se do ta rregullojnë edhe këtë çështje.

Ajo shtoi se RTK-ja akoma vazhdon ta ketë të pazgjidhur problemin me pronën.

Sipas saj, për shkak të vërshimeve të djeshme pas shiut, janë rrezikuar gazetarët, teknika si dhe është rrezikuar transmetimit i kampionatit botëror në futboll.

Në këtë çështje ka ndërhyrë deputeti nga NISMA Milaim Zeka, i cili tha me shaka se kanë mundur ta transmetonin promovimin e librit të Presidentit Thaçi.

Foto: Kallxo.com

Afërdita Maliqi tha se RTK është i vetmi medium që punon me një teknikë shumë të vjetër dhe, sipas saj, digjitalizimi është i domosdoshëm.

“Digjitalizimi i arkivit është nevojë urgjente, sepse në të është edhe një pjesë e historisë së Kosovës”, u shpreh ajo .

Por, deputeti nga LDK, Imet Rrahmani kërkoi sqarim nga bordi i RTK-së se përse ishte e nevojshme që të hapen kanale të reja ndërkohë që RTK-ja ka mungesa teknike.

“U përmend që është evidente se RTK-ja ka mungesa të mëdha teknike për me i ndjekë hapat me medium të tjera por pse I lëshuan aventurat e tjera për me hapë kanale tjera”, tha ai.

Deputetja Xhevahire Izmaku nga PDK, ka kërkuar që RTK të përfshijë në lajmet qendrore edhe elemente sociale dhe të hiqet pak politika.

“Te lajmet qendrore pse mos me u fokusu tek elementet sociale të disa familjeve. Deri tani në gjitha statistikat lajmet qendrore janë më të pranuarat. Përfshini më shumë ata dhe hiqeni pak politikën se në bën edhe mos me dalë në televizor”, u shpreh ajo.

Milaim Zeka tha se teknologjia e RTK-së i takon “kohës së Shaban Polluzhës” dhe, sipas tij, nuk ka logjikë të hapet një kanal i ri kur nuk ka teknikë të mirë.

“Ku don me hap kanal të ri kur nuk keni teknikë të hajrit, kamera të hajrit e që janë me defekte të jashtëzakonshme. Shyqyr që ju bordi nuk e kqyrni kurrë RTK-në se ju kish ra të fikët”, u shpreh deputeti Zeka.

Ai gjithashtu dha vërejtje për RTK-në se “po vepron me inate” ndaj emisionit të debateve parazgjedhore të moderuara nga jeta Xharra.

“Emisionin “Jeta në Komunë” që bëhen gjatë kohës së zgjedhjeve ajo shkon e bën në Televizionin 21. Nëse Jeta ua kalon me shikueshmëri atëherë leni inatet. Ju duhet me i thanë se jeni televizion publik, që urdhëro jepini ju debatet për zgjedhje por kur po vjen koha ju po e dërgoni vet në TV21”, tha Zeka.

Në këtë komision nuk u lanë pa u përmendur edhe borxhet që ka RTK-ja.

Salih Zyba nga Vetëvendosje ka kërkuar nga bordi që ta tregojë shumën e saktë të borxhit dhe kujt ia kanë atë borxh.

Në këtë diskutim ka ndërhyrë edhe deputeti Milaim Zeka.

Ai tha se RTK-ja i ka borxh atij në vlerë prej 100 mijë eurosh, për emisionin ‘Pa Rrotlla”, të cilin ai e ka drejtuar para se të bëhej deputet.

“Emisioni jem u pagu ma së liri, 1000 euro emisioni. Mi kanë edhe 100 mijë euro borxh. I kanë edhe Jeta Xharrës borxh”, u tha ai.