Foto: Kallxo.com

Shkollat e zanatit paragjykohen në Kosovë

Mundësitë që ofrohen në Kosovë për të marrë një zanat përmes shkollave, paragjykimet që përballen të rinjtë që vijojnë shkollimin në shkollë profesionale dhe mungesa e praktikave janë vetëm disa nga shqetësimet që u ngritën në konferencën  “Arsimi dhe orientimi profesional janë politikë ekonomike”.

Përveç kësaj, arsimi i ashtuquajtur ‘dual’ u vlerësua si domosdoshmëri që të kthehet si bazë për aftësimin e të rinjve kosovarë.

Ansgar Klinger, nga Sindikata e Arsimit dhe Shkencës në Gjermani, tha se në ditët e sotme, trajnimi profesional është një argument vendimmarrës për aftësimin profesional.

“Na duhet përgjegjësi publike dhe partneritet shoqëror që janë dy aspekte shumë të rëndësishme të aftësimit profesional dhe për pranimin e tyre në Gjermani”, u shpreh Klinger.

Drejtori i Shkollës Teknike “Pjetër Bogdani, Isuf Qala u shpreh se që nga paslufta drejtimet teknike janë zbehur.

Foto: Kallxo.com

Ai thotë se problemi që nxënësit nuk po përgatitën për tregun e punës është edhe ndryshimi i strukturës së arsimit profesional, që siç e quajti ai ‘shkëputje e arsimit’.

“Besoj që tani shkollat profesionale kanë një përparësi mirëpo e keqja është se ende nuk kemi një vetëdijesim nga prindërit, nxënësit dhe qytetarët që të ndjekin shkollat teknike. Shkollat teknike kanë një program të atillë që nevojitet me ardh një grup moshë që më pas një përgatitje deri diku”, tha ai.

Që të rinjtë nuk vijojnë shkollimin që të marrin një zanat për shkak të paragjykimeve nga shoqëria, e tregon edhe Havushe Bunjaku e cila si shembull merr vajzën e saj.

Ndërsa, për kompaninë të cilën ajo e drejton thotë se iu është dashur që të gjejnë ekspert nga Shqipëria për arsyeje se nuk ka pasur të kualifikuar nga Kosova.

Foto: Kallxo.com

“Vajzën time dojsha me e nxit me regjistru në bujqësi po një nxënëse e shkëlqyeshme nuk donë me shku në bujqësi sepse më qesh shkolla dhe me qeshin të gjithë këtu të rrethinës edhe ka shku në mjekësi”, u shpreh ajo. –

Ndërsa, Elhami Kadiri foli për përvojën e tij si praktikant në kompaninë ‘Meister’ duke shpjeguar edhe paragjykimet nga shoqëria.

“Nuk kam dasht me u kyq në shkollën teknike shkaku se mentaliteti jonë ‘jo nuk ban’, ‘ti ki mesu ma mirë’, ‘ti ki mesu shumë, pse me shku në atë shkollë’, u shpreh ai.

 

Foto: Kallxo.com

Në panelin tjetër në të cilën e pranishme ishte edhe Valbona Fetiu Mjeku nga ministria e Arsimit, ajo u shpreh se së shpejti do të implementohet kurrikula e re e cila do të sjell ndryshime në dobi të nxënësve.

“Sa i përket orientimit në karrierë me vite kemi investuar është e pranishme në shkollat tona por mungon në plan program, mësimdhënësit në fillore nuk i përgatisin fëmijët tanë dhe nuk dalin me njohuri për profesionale të ndryshe”, u shpreh ajo.

Julia Becker nga GIZ theksoi së të rinjtë kosovar duhet të vetëdijesohen së të punuarit me zanate është më fitimprurëse  se sa dikush në një profesion me diplomë universitare.

Foto: Kallxo.com

Ndërkaq, nxënësja e shkollës së mesme profesionale, Leona Jahiri nga Ferizaj, e pyeti drejtorit të kompanisë ‘Hymeri Kleemann’, Hysni Ymerin, se a ka të punësuar vajza.

I pranishëm në konference ishte edhe Kryeministri i Kosovës, i cili gjatë fjalimit të tij, tregoj së ka zanat që e ka mësuar dikur në Zvicër, e lidhur me këtë fakt tha se s’është tragjike shkuarja në vendet perëndimore për të punuar.

Foto: Kallxo.com

“Nuk e di pse duhet me marrë tragjike këtë punën e shkuarjes në Gjermani për punësim, unë mendoj që edhe kjo është një shkollë e jetës. Falënderoj Gjermaninë për vizat e punës dhe mendoj që kjo është një mënyrë e aftësimit. Nëse një i ri kosovar shkon me punu në një fabrikë, ai aty e mëson sistemin e punës”, tha Haradinaj.

Konferenca u organizua nga organizata gjermane GIZ së bashku me Fondacionin Friedrich Ebert dhe Odën Ekonomie Gjermano-Kosovare.