Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Shkolla që nuk përfundoi për katër vjet

Nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Dëshmorët e fshatit Bubavec” pas katër vjetësh po e gëzojnë shkollën e re.

Sipas nënshkrimit të kontratës kjo shkollë kishte filluar të ndërtohet më 14 nëntor të vitit 2014 për të përfunduar me 7 nëntor të këtij viti.

Operatori ekonomik N.P.N “OFERTA 5” & NNT ,,BURIMI” ishte shpallur fitues e tenderit, por pastaj ky tender ishte anuluar.

Ky operator ekonomik edhe pse me tender të anuluar kishte vazhduar të punojë në ndërtimin e shkollës në fshatin Bubavec.

Operatori ekonomik N.P.N “OFERTA” & NNT ,,BURIMI” është në pronësi të Valon Krasniqit.

KALLXO.com ka gjetur se Valon Krasniqi është nipi i Ekrem Kastratit (tashmë sekretar i përgjithshëm në MASHT).

Ekrem Kastrati në kohën e nënshkrimit të kësaj kontrate ka udhëhequr Drejtorinë e Administratës dhe Personelit në Komunën e Malishevës.

Lidhjen familjare në mes të Ekrem Kastratit dhe Valon Krasniqit e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe vet Kastrati.

“Valon Krasniqi a?!, Po, po e njoh, tash e ka lëshu punën e ka shku në Gjermani. E kam nip, djal të motrës”, ka thënë Kastrati.

Kastrati ka thënë se ai nuk e ka nënshkruar këtë kontratë edhe pse në vitet 2014-2015 ka udhëhequr këtë drejtori.

“Unë nuk jam nënshkruesi i asaj kontrate”, ka shtuar Kastrati.

Ekrem Kastrati është emëruar sekretar në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nga Qeveria e Kosovës pavarësisht se nuk kishte treguar aftësi të mjaftueshme për këtë pozitë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë disa herë me Valon Krasniqin por nuk ka qenë i qasshëm.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsion ky rast nuk është konflikt interesi sepse drejtori i Administratës, në këtë rast Ekrem Kastrati nuk ka pasur kompetenca për dhënien e vendimit.

“Në këtë rast asnjë nga të afërmit e fituesit të këtij tenderi nuk ka qenë pjesë e komisionit të vlerësimit dhe rrjedhimisht, sipas kësaj dispozite, nuk ka pasur obligim që ta bëj deklarimin rast për rast të konfliktit të interesit dhe të tërhiqet nga ky proces”, vlerëson AKK.

Po ashtu, drejtori i Administratës, nuk ka kompetencë në dhënien e vendimit për tenderuesin e suksesshëm. Kjo kompetencë është e rezervuar për Zyrtarin e Prokurimit i cili mund ta pranoj apo refuzoj rekomandimin e Komisionit Vlerësues, ashtu siç parashihet me Udhëzuesin Operativ për Prokurimin Publik dhe Rregulloren për Prokurimin Publik.

“Në pajtim me këto dispozita, duke marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat relevante që i posedojmë në lidhje me çështjen e konfliktit të interesit për këtë rast, vlerësojmë se në Ligjin PKI nuk ka ndonjë dispozitë kufizuese që i pamundëson kompanisë “Oferta-5” marrjen e këtij tenderi”, thuhet në vendimin e AKK.

Për tenderin e ndërtimit të kësaj shkolle ka pasur disa herë njoftime për kontratë, njoftime për dhënie të kontratës, anulime të kësaj kontrate edhe aktakuzë ndaj kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Komuna e Malishevës në maj të vitit 2014 ka dhënë njoftimin për kontratë për ndërtimin e objektit të shkollës fillore në fshatin Bubavec.

Në korrik të vitit 2014 kompania NT. “ALFA”& N.N.P. “PROART” MALISHEVË-PRISHTINË është shpallur fituese e tenderit për ndërtimin e shkollës fillore në Bubavec të Malishevës.

Operatori ekonomik konkurues, “SHPK Albakos & NNSH Korben”, në Pejë dhe Gjakovë më 11 korrik të vitit 2014 kishte deponuar ankesë në OSHP kundër njoftimit për dhënie të kontratës të operatorit ekonomik NT. “ALFA”& N.N.P. “PROART” MALISHEVË-PRISHTINË duke pretenduar se Komuna e Malishevës ka bërë shkelje esenciale në tenderim.

OSHP më 11 gusht të 2014-ës kishte aprovuar pjesërisht ankesën e “SHPK Albakos & NNSH Korben”, në Pejë dhe Gjakovë dhe kishte urdhëruar Komunën e Malishevës ta kthejë në ritenderim procedurën e prokurimit “Ndërtimi i objektit të shkollës fillore në fshatin Bubavec”.

Më 01.09.2014 Komuna e Malishevës njoftoi se ka hapur konkurs për ritenderim të përshpejtuar të ndërtimit të shkollës në Bubavec.

Kontrata ka qenë publike dhe kohëzgjatja ka qenë dymbëdhjetë muaj, pra deri më datën  30 gusht të 2015-ës, që kjo shkollë të përfundonte.

Në tetor të vitit 2014 kompania N.P.N “OFERTA” & NNT ,,BURIMI”  Malishevë, është shpallur fituese e tenderit për ndërtimin e shkollës fillore në Bubavec të Malishevës.

Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 288,038.69 euro, e paraparë të përfundonte deri më datë 30 gusht të 2015- ës.

Ndaj operatorit ekonomik N.P.N “OFERTA” & NNT ,,BURIMI”  Malishevë, ka dërguar ankesë në OSHP operatori konkurrent “I.Seferi & Ramaj”- Suharekë- Malishevë, por që OSHP e ka refuzuar ankesën e kompanisë duke e cilësuar si të pabazë.

Në shtator të vitit 2015 është anuluar tenderi për ndërtimin e shkollës për arsye se një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik ka kërkuar anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Menjëherë pas anulimit të kontratës, Komuna e Malishevës kishte njoftuar se konkursi për ritenderim është i hapur.

Pas anulimit të këtij tenderi dhe pas njoftimit për ritenderim, në faqen e Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) as në platformën E-prokurimi nuk ka asnjë njoftim tjetër për vazhdimin e aktivitetit të prokurimit për ndërtimin e shkollës fillore në Bubavec.

Operatori ekonomik N.P.N “OFERTA” & NNT ,,BURIMI”  edhe pse me tender të anuluar kishte vazhduar të punojë në ndërtimin e shkollës në fshatin Bubavec.

Po ashtu ,“SHPK Albakos&NNSH Korben” ka paraqitur në OSHP ankesë për humbjen e dosjes origjinale të ofertës për të cilën më 21 shkurt të 2018-ës ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale për kryetarin e Komunës së Malishevës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

KALLXO.com ka raportuar në tërësi për këtë proces gjyqësor.

Prokuroria Speciale në shkurt të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzën e ngritur ndaj Begajt thuhet se ai kishte qenë i informuar për humbjen e dosjes së operatorit ekonomik,“SHPK Albakos & NNSH Korben”.

Kjo ka qenë hera e dytë që Prokuroria Speciale e Kosovës ka akuzuar Begajn për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në korrik të vitit 2016, në rastin e parë, Begaj ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Gjakovës.