Shkolla 'Elena Gjika' e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor

Kryetari i Prishtinës. Shpend Ahmeti vizitoi punimet në renovimin e shkollës ‘Elena Gjika ku  tha se nevoja për renovim të kësaj shkolle ka qenë e madhe.

“Sot kemi ardhur bashkë me TIKA-n në inspektim me pa se qysh po shkon puna në shkollën Elena Gjika, kur i kemi hap dyshemetë për herë të parë e kemi pa se çfarë nevoje ka pasur kjo shkollë për renovim, natyrisht ky është objekt i trashëgimisë kulturore kështu që është dashtë me i marrë të gjitha lejet prej institutit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, në mënyrë që fasada e jashtme të mos preket dhe të ruhen aspektet e trashëgimisë kulturore” tha Ahmeti.

Ai po ashtu tha se TIKA dhe Komuna e Prishtinës po e përfundojnë pjesën e mbetur të shkollës, e cila ka qenë e pa rinovueshme me bashkëfinancim.

“Dhjetë klasë janë rinovuar më herët nga TIKA ndërkaq tash po e përfundojmë me bashkëfinancim, pjesën më të madhe e jep TIKA, e cila e ka marrë përgjegjësinë që të përfundojë punimet para se të fillojë viti i ri shkollor edhe inventarin e ri të shkollës që po paguhet bashkërisht. Si komunë kemi nda edhe një fond për rregullimin e oborrit të shkollës, me gjelbrim dhe me dy fusha të reja” shtoi Ahmeti.

Shpend Ahmeti falënderoi TIKA-n për projektet që ajo ka financuar në Komunën e Prishtinës.

Hasan Burak Ceran nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) tha se për ta është e rëndësishme infrastruktura arsimore në Kosovës sidomos ajo e shkollës ‘Elena Gjika’.

“Ne si TIKA jemi duke vazhduar punën për të përmirësuar infrastrukturën e arsimore në tërë Kosovën dhe shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë është mjaftë e rëndësishme në këtë aspekt dhe në bashkëpunim me komunën e Prishtinës kemi filluar një renovim me gjithëpërfshirës në këtë shkollë” tha Ceran.

Hasan Burak Ceran  gjithashtu tregoi se do të rinovohen tërësisht 18 klasa dhe tre klasa parashkollore kurse dhjetë klasat që TIKA i ka rinovuar më herët do të shikohen pjesërisht.

“Për momentin 18 klasa dhe tre klasa parashkollore do të rinovohen komplet, ndërsa renovime pak më të vogla do të kemi në dhjetë klasë të cilat ishin rinovuar më vonë.  Prej mureve kanë dalë pesë nivele të ngjyrave, do të thotë pesë herë është lyer mbi ngjyrë dhe tani është pastruar komplet, po ashtu edhe në dysheme kanë qenë katër nivele te dyshemesë edhe kjo është pastruar që nga themeli” tregoi Ceran.