Foto: ZKA

Zyra Kombëtare e Auditimit: Kemi dorëzuar në Prokurori 52 raste me elemente të veprave penale

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2021.

Ky raport përmban informata të rëndësishme rreth performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit në përmbushjen e obligimeve të saj kushtetuese e ligjore, gjatë këtij viti.

Sipas auditores së Përgjithshme, aktiviteti auditues është kryer sipas Planit Vjetor të Auditimit  për sezonin auditues 2020/21, ku janë publikuar 131 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë si dhe performancës.

Ajo ka bërë të ditur se janë 52 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit që janë dërguar në Prokurori të Shtetit.

Ndërsa, ka potencuar se për herë të parë në vitin 2021 janë kryer auditimet e veçanta të pajtueshmërisë dhe po ashtu janë audituar informata të klasifikuara me ligj.

“Gjatë vitit 2021, kemi kryer auditimin e Raportit Vjetor Financiar, përfshirë evidencat përkatëse të buxhetit të shtetit për vitin 2020, i cili është mbështetur nga auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë të të gjitha organizatave buxhetore, dhe ndërmarrjeve publike. Gjithashtu, kemi kryer auditimet e performancës, prokurimit publik dhe të teknologjisë së informacionit, si dhe auditimet e projekteve të financuara nga fondet e donatorëve”, ka pohuar është Spanca,

Këto auditime kanë rezultuar me një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve për përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe shfrytëzimin e fondeve publike me efikasitet, efektivitet dhe arritjen e vlerës për para.

Sipas Spancës, përmes rekomandimeve të auditimit ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të tyre.

Raporti përmban informacion të hollësishëm edhe për menaxhimin financiar dhe administrativ të ZKA-së, burimet njerëzore, zhvillimin profesional të stafit si dhe komunikimin dhe bashkëpunimin me publikun dhe palët e interesit.

Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2021 mund ta gjeni këtu.