Pse nuk mund të ketë sukses hetimi i krimeve të luftës?

Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com, ka thënë se caktimi i 41 policëve për t’i trajtuar krimet e luftës është shumë pak.

Sipas llogaritjes së tij, 3 vjet e gjysmë i duhen këtyre policëve të intervistojnë vetëm gratë e dhunuara.

“Nëse marrim statistikat me i analizu, ne i kemi 20 mijë gra që pretendohet se janë të dhunuara në Kosovë, të cilat veç me i intervistu këta policë kanë me bo 4 vjet, matematikisht, po i bie 1 polici 487 gra me i intervistu. Ku po mbesin krimet e tjera? D.m.th. këtu ka huqje strategjike në objektiva e në çdo gjë” – ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se Qeveria duhet të bëjë një plan të ri për këtë.

“Me ndërtu strukturën e krimeve të luftës në vendin tonë dhe mos me na hedh hi syve për shkak se 4 vjet duhen vetëm për intervistimin e këtyre grave, nëse punojnë pa asnjë ditë pushim, pa pushim mjekësor, me standardin që 2 ditë e interviston një grua të dhunuar e që mua nuk ma merr mendja që për dy ditë mundesh me ia nxirr krejt materialet” – tha më tej ai.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që ta kthejë fokusin nga krimet e luftës.

“Me bo planin që qysh ne për 4 vjetët e ardhshme me i bo resurset, me i dokumentu krimet” – thekson ai.

Ndryshe, qindra dosje për krimet e luftës të cilat tashmë janë mbledhur, e bartur dhe priten që të hetohen nga 41 hetues policorë të Departamentit më të ri që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës.

Ky Departament do të udhëhiqet nga ish-drejtori për Krime Ekonomike, Bashkim Spahiu, i cili deri në këtë vit shërbeu si shef i Sektorit për Migrim.

KALLXO.com ka raportuar se më shumë se gjysma e hetuesve të rinj për krimet e luftës janë pa përvojë në hetime.

kallxo.com/gjate/me-shume-se-gjysma-e-hetuesve-te-rinj-per-krime-te-luftes-jane-pa-pervoje-ne-hetime/