Ministri Mehaj i quan dezinformata lajmet për dorëheqjet e pjesëtarëve serbë të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i ka përgënjeshtruar lajmet se 10 pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre.

“Referuar lajmit të publikuar nga mediumi serb, dhe të cituar edhe nga disa medie vendore, ju informojmë se është dezinformatë. Nuk është e vërtetë që kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre 10 pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë tre kërkesa për demobilizim që kemi pranuar prej kohësh dhe për të cilat janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta”- ka thënë ministri në Facebook.

Mehaj thotë se  deklarimet e tilla publike janë më tepër tendencë e Beogradit zyrtar për të nxitur largimin e pjesëtarëve serb nga institucionet e Republikës së Kosovës, madje, edhe përmes kërcënimeve direkte.

Përpjekjet e Serbisë, ka shtuar më tej ai, për të frikësuar pjesëtarët serbë të FSK-së janë të papranueshme, shkelin normat e civilizimit dhe vlerat demokratike evropiane. Ndërsa ka potencuar se nuk pritet që Serbia të ulë shkallën e kërcënimeve.

“Vlerësojmë dhe respektojmë kontributin e secilit pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës për sakrificën dhe shërbimin ndaj atdheut. Kosova është shtet multietnik, dhe Ushtria e Kosovës është garantuese e integritetit territorial dhe jetës së çdo qytetari pa dallim etnie”- ka shkruar ndër të tjera ministri Mehaj.

Gjatë ditës pati raportime se 10 pjesëtarë të komunitetit serb kanë ofruar dorëheqje nga FSK-ja.