Fetahu: Kosova ka hequr dorë nga njohja

“Marrëveshja më e dëmshme që kur Kosova është në dialog me Serbinë”.

Kështu e ka quajtur në emisionin “Kallxo Përnime” avokati Faton Fetahu pranimin e Propozimit të BE-së nga kryeministri Albin Kurti.

Fetahu tha se ne këtë propozim-marrëveshje ka mosnjohje të shtetësisë së Kosovës nga Serbia.

Pra, sipas tij, deri më sot Kosova ka kërkuar njohje nga Serbia, tani e tutje me këtë Marrëveshje nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

“Kjo është shumë shqetësuese, pra ne kemi mundur deri tash të kërkojmë njohje nga Serbia në mënyrë të papenguar, tani e tutje Kosova, pajtohet të mos kërkojë njohje nga Serbia. Ky është problem substancial. Tjetra në këtë Marrëveshje ka Asociacion por jo njohje, ka autonomi për serbët, ka status të veçantë të Kishës Ortodokse serbe, përtej asaj që është bërë në proceset e deritanishme, kjo edhe për shkak të papërgjegjësisë tonë, por në këtë rast përgjegjësia i takon kryeministrit që ka pranuar marrëveshje të tillë” – ka thënë Fetahu.

Ndryshe, të hënën në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruajë Planin franko-gjerman, i njohur si Plani i Bashkimit Evropian.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha që nuk pati marrëveshje për shkak që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera.

Borrell në anën tjetër përmendi fundin e marsit si një kohë kur mund të finalizohet plotësisht puna.

 

Kurti: Pala serbe nuk ishte e gatshme ta nënshkruajë planin franko-gjerman, unë po

 

Vuçiq: Kurti nuk është i gatshëm të pranojë Asociacionin

 

Borrell: Kurti dhe Vuçiq u pajtuan për propozimin e BE-së, theksuan se nuk nevojiten diskutime të tjera