Shkelet memorandumi, anëtarët e Bordit të AKP-së u zgjodhën tinëz britanikëve

Kuvendi i Kosovës e ka kompletuar Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit tinëz britanikëve.

Bajram Zejnullahu ka marrë votat e deputetëve për kryesues të Bordit të AKP-së, ndërsa Hajzer Salihu do të jetë anëtar i Bordit të kësaj Agjencie.

Këta dy anëtarë janë propozuar nga Qeveria e Kosovës në kundërshtim me memorandumin e nënshkruar nga Ambasada britanike me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Këto pozita ishin në listën e pozitave të larta rekrutimi i të cilave do të zhvillohej me asistencë të Ambasadës britanike.

Pas propozimit të Qeverisë, Ambasada e Britanisë, përmes një emaili, i ka njoftuar të gjithë anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik se propozimi i Qeverisë ishte bërë pa pajtimin e tyre.

“Përkundër kërkesës sonë zyrtare dërguar Qeverisë, Kuvendit edhe AKP-së, procesi i emërimit/rekomandimit në këto pozita është bërë pa përfshirjen e projektit tonë”, thuhet në emailin dërguar anëtarëve nga Ambasada britanike.

Zgjedhja e tyre është bërë pas disa tentativave të Kuvendit për t’i bërë votat e mjaftueshme të Kuvendit të Kosovës. Në disa tentime kanë marrë pjesë në votim më pak se 61 deputetë.

Kryesuesit dhe anëtari i Bordit të AKP-së është miratuar në fund pasi votuan 62 deputetë, duke përfshirë 12 deputetët e PSD-së që votuar kundër. Por, vota e tyre ia mundësoi Kuvendit që të emërojë dy anëtarët e Bordit të AKP-së, që janë zgjedhur tinëz britanikëve.

Pozitat e dakorduara mes Ambasadës Britanike dhe Qeverisë e Kuvendit, Foto: Kallxo.com

Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik ia kishte kthyer emrat e propozuar Qeverisë pas reagimit të Ambasadës britanike duke i kërkuar asaj që të respektojë memorandumin e nënshkruar.

Propozimi për të mos e shqyrtuar propozimin e Qeverisë erdhi nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Unë në fakt duke iu referuar një emaili që e kemi marrë nga projekti i Ambasadës britanike kërkoj që pika e katërt e rendit të ditës të hiqet nga rendi i ditës dhe t’i kthehet Qeverisë, me kërkesën që të respektohet memorandumi i bashkëpunimit për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Në letër siç thuhet, Bordi i Agjencisë së Privatizimit ka qenë pjesë e marrëveshjes edhe me Kuvendin edhe me Qeverinë, ndërkohë që rekomandimi i anëtarëve për Kuvendin e Kosovës është bërë duke e shpërfillë projektin dhe duke mos e involvuar fare në procedura të rekrutimit. Përndryshe ne deputetët e LDK-së do ta lëshojmë mbledhjen”, kishte thënë deputetja e Kuvendit të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Bordi i drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në fund të vitit të kaluar kishte emëruar Valon Tolajn në pozitën drejtor menaxhues me mandat prej katër vitesh. Valon Tolaj që ka qenë sekretar ekzekutiv i partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai është emëruar pa konkurs publik.