Shkelen të Drejtat e të Akuzuarve për Terrorizëm

Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba ishin arrestuar në qershor të vitit të kaluar.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur me datë 2 mars të këtij viti, nën dyshimin për kryerjen e veprave që ndërlidhen me terrorizmin, por që nga ajo kohë ende nuk është mbajtur shqyrtimi fillestar lidhur me këtë rast.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, parasheh që shqyrtimi fillestar të mbahet më së largu 30 ditë, nga koha kur është ngritur aktakuza, ndërsa kur të dyshuarit janë në paraburgim, brenda 15 ditësh.

Në këtë rast kanë kaluar gati 5 muaj nga koha kur është ngritur aktakuza dhe ende nuk ëshë mbajtur seanca e parë.

E gjithë kjo vonesë është shkaktuar për shkak të moskoordinimit të shkaktuar ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Eulexit.

Gjykata Themelore në Ferizaj në përgjigjen e dërguar për KALLXO.com, thonë se ata ende janë në pritje të një vendimi nga KGJK lidhur me këtë rast.

“Gjyqtari i procedurës, Musa Konxheli, është në pritje të një përgjigje nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, lidhur më këtë çështje (pasi në vendimin e KGJK-së nr.75/15 lënda duhet t’i kalohet në kompetencë EULEX-it)”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për informim pranë kësaj gjykate.

Në përgjigje më tej thuhet se posa gjykata të pranojë një vendim do të procedohet me rastin.

Por, as KGJK dhe as EULEX, nuk japin një përgjigje se kur do të mund të procedohet me këtë rast.

Edit Qanta nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com, thotë se KGJK, tashmë ka marrë një vendim lidhur me këtë çështje dhe i qëndrojnë prapa atij vendimi.

“Ju njoftoj që Këshilli Gjyqësor në bazë te kërkesës së Eulexit nxori vendim me nr.75/15 me datë 23 Mars 2015 me te cilin miratoi kërkesën e Eulexit dhe sipas të cilit kolegji që do të vendos për rastin në fjalë do të përbëhet nga një shumicë e gjyqtarëve të Eulexit, siç edhe është kërkuar. Ndërkohë, Eulex-i me datë 29 Maj ka parashtruar një kërkesë tjetër me të cilën kërkon që në këtë rast të vendos kolegji i përbërë nga vetëm një gjyqtar i Eulexi-t, por KGJK-ja ka marrë vendim tashmë dhe qëndron pas vendimit të saj”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga KGJK.

Në anën tjetër nga Eulex, konfirmojnë se kanë bërë kërkesë lidhur me rastin, por topin e hedhin në fushën e KGJK-së.

“Në qershor të vitit 2014, gjatë fazës paraprake, EULEX-i ka kërkuar një shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it për këtë rast. Aktakuza ishte ngritur më 3 mars 2015. Më 29 maj 2015 EULEX-i ka propozuar që rasti t’i referohet një panelit me shumicë të gjyqtarëve vendorë”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Besa Domi nga zyra për informim e EULEX-it.

Në përgjigjen e dërguar, tranzicioni i EULEX-it, përmendet si faktor që ka ndikuar në këtë proces.

“Me tranzicionin që është në vazhdim e sipër, ka gjasë që ky rast do t’i kthehet gjyqësorit vendor. Vendimi thjesht nuk është marrë ende”, thuhet më tej në përgjigje.

Avokati i njëri nga të akuzuarit e këtij rasti, Hilmi Zhitija, avokat i caktuar sipas detyrës zyrtare për mbrojtjen e Sedat Topojanit, thotë se ai tashmë as shkresat lidhur me këtë rast nuk është duke i pranuar.

“Unë jam i caktuar sipas detyrës zyrtare, dhe ka një kohë që nuk jam njoftuar, dhe se di se a kanë caktuar ndonjë avokat tjetër, veç e di se ka pas një mos marrëveshje sa i përket kompetencave mes EULEX-it dhe KGJK-së”, tha Zhitia.

Zhitia u shpreh u habitur se pse përkundër asaj që parasheh Kodi i Procedurës Penale seanca ende nuk po mbahet.

“Sa i përket mosmbajtjes së seancës edhe pas ngritjes se akuzës, kjo qe një kohe bukur të gjatë kjo është diçka e palogjikshme, dhe s’e di qysh mund me ndodh kjo, kur Kodi i Procedurës Penale e specifikon se kur duhet të mbahet seanca nëse i akuzuari është në paraburgim”, tha Zhitia për KALLXO.com.

E deri sa të zgjidhet ky ngërç në mes të EULEX-it dhe KGJK-së, të akuzuarit do të vazhdojnë të mbeten në paraburgim, pa u mbajtur seanca e tyre fillestar, përkundër se këtë ua garanton Kodi i Procedurës Penale.