Ish-Kryeshefi Ekzekutiv i KUR "Prishtina", Gjelosh Vataj - Foto: KALLXO.com

Shkarkohen Gjelosh Vataj e Selatin Retkoceri

Lajmin për shkarkimin e Vatajt dhe Retkocerit e bëri të ditur për KALLXO.com, Ilir Rexhepi, anëtar i këtij bordi.

Vataj kryente detyrën e kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, ndërsa Retkoceri ishte zyrtari kryesor financiar i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Shkarkimin e zyrtarëve e bëri të ditur me anë të një komunikate edhe Bordi i Drejtorëve

“Bordi i Drejtorëve të KUR ‘Prishtina’ njofton opinionin dhe te gjitha palët e interesit se në bazë të kreut IV, Neni 21, pika 21.1 te Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më datën 08.03.2016 ka marre vendim për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv z. Gjelosh Vataj dhe zyrtarit kryesor financiar z Selatin Ratkoceri,” thuhet në komunikatë.

Bordi e arsyeton shkarkimin e Vatajt dhe Retkocerit me shkeljet e gjetura nga raporti i auditorit në  Ujësjellësin “Prishtina.

“Arsyetimi për shkarkimin e z. Vataj dhe z. Ratkoceri është i bazuar në të gjeturat e specifikuara në raportet e auditimit te brendshëm mbi shkeljet etike e ligjore në kontekst të legjislacionit të prokurimit publik të pasqyruara ne raportin e auditimit te brendshëm tek proceset e prokurimit dhe furnizimeve, deklarimin dhe raportimin e pasakte financiar tek raporti i TM4 përkatësisht pasqyrave financiare,” thuhet në arsyetim.

Vataj e Retkoceri janë shkarkuar edhe dëmtim të reputacionit të ndërmarrjes.

Bordi ka renditur si arsye të shkarkimit edhe “brengat e grupeve te interesit për ecurinë etike të biznesit/shërbimeve dhe projekteve kapitale; humbjen e besimit të publikut, rrezikun e dëmtimit të reputacionit të ndërmarrjes; mosrikuperimin e raporteve me palët e interesit përfshirë komunat dhe donatorët”.

Bordi akuzon të shkarkuarit edhe “për mosefiçiencën dhe efikasitetin menaxherial te ndërmarrjes në kontekst financiar, të performancës teknike e operative, krijimin e grupeve/klaneve me qëndrime dhe prononcime te kundërta lidhur me gjendjen e ndërmarrjes të cilat kanë krijuar amulli per nje informim te drejtë të opinionit dhe palëve me interes”.

Gjelosh Vataj ishte shkarkuar nga Bordi i Drejtorëve të KUR “Prishtina” edhe më 17 gusht të vitit të kaluar, por u kthye përsëri në pozitën që kishte më 24 nëntor të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/shkarkohet-kreu-i-ujesjellesit-prishtina-ia-sheh-sherrin-udhetimit-ne-amerike/

Para se Vataj e Retkoceri të shkarkoheshin sot, ndaj kthimit të tij në punë pas shkarkimit vitin e kaluar reaguan Instituti GAP, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Këto organizata për kthimin e Vatajt në punë e bënë fajtore Ministrinë e Zhvilimit Ekonomik dhe ministrin Stavileci.

“Në gusht të vitit 2015, MZhE dhe ministri Stavileci, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe parimet e qeverisjes korporative, kanë ndërhyrë në vendimin e bordit të mëhershëm të KUR ‘Prishtina’ lidhur me shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv Gjelosh Vataj,” thuhet në reagimin e sotëm të 3 organizatave të shoqërisë civile.

Organizatat në reagimin e tyre thonë se ky kthim ishte bërë pavarësisht letrave të donatorëve kryesorë të Ujësjellësit “Prishtina” kundër kthimit të Vatajt.

“Më 24 nëntor 2015, ambasada e Republikës Federale Gjermane dhe ambasada e Zvicrës në Kosovë i ka shkruar letër Kryeministrit të Kosovës për të shprehur zhgënjimin e tyre me bordin e ri të KUR ‘Prishtina’, të cilët që në mbledhjen e parë të tyre më 13 nëntor 2015 kishin marrë vendim për rikthim në detyrë të Vataj si Kryeshef Ekzekutiv,” thuhet më tutje në reagimin e GAP-it, INDEP-it dhe GLPS-së.

Edhe në arsyetimin e sotëm të Bordit për shkarkimin e Vatajt dhe Retkocerit përmenden donatorët ndërkombëtarë.

“Zbehja e marrëdhënieve me donatorët dhe institucionet vendore e ndërkombëtare,” është njëra nga arsyet e shkarkimit të dy zyrtarëve.

Emisioni Jeta në Kosovë transmetoi hulumtimin rreth dyshimeve për keqpërdorime në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” më 11 shkurt 2016. Në këtë emision janë publikuar letrat e dy ambasadorëve, si donatorët kryesorë të sektorit të ujit në Kosovë, të cilat kishin kërkuar shkarkimin e bordit dhe menaxhmetit të ujësjellësit.

Lufta për Ujë

KALLXO.com shkroi se si punëtorëve të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” që kishin folur në emisionin “Jeta në Kosovë”, u janë vendosur masa disiplinore nga menaxhmenti i kompanisë.

http://kallxo.com/pas-emisionit-lufta-per-uje-fillojne-hakmarrjet/

[interaction id=”56df01d84ab46a0103a28879″]