Shfaqja për vrasjet politike të pasluftës, të hënën premierë në Teatrin Kombëtar

Teatri Kombëtar i Kosovës do të shfaqë të hënë e ardhshme, më 27 maj 2019, premierën e shfaqjes “Sfinga e gjallë” të autorit Rexhep Qosja me regji të Blerta Nezirajt.

Drama ”Sfinga e gjallë” e Qosjes vjen e ‘rivizituar’ dhe e fuzionuar me shkrime e citate goditëse po të Rexhep Qosjes, por edhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës.

Përmes një njoftimi për media, TKK njofton se “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.

Pas përfundimit të luftës, siç thuhet në komunikatë,  disa nga ‘lordët e luftës’ në Kosovë qenë përfshirë në një valë të vrasjeve të kundërshtarëve politikë, kryesisht zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovë, të cilët paraprakisht etiketoheshin si ‘ ‘bashkëpunëtor të armikut’ e ‘sabotues të luftës çlirimtare’’.

“Rreth 20 vite nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur. Nuk ka pasur vullnet politik për një gjë të tillë nga asnjëra palë, madje as nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, për më tepër, këto vrasje i ka marketizuar dhe përdorur për qëllimet e veta politike”, thuhet në njoftimin e TKK-së.

Edhe komemoracioni publik për të vrarët është shndërruar në një ritual komik, thuhet me tej në njoftimin, duke vazhduar se të gjithë – madje edhe vetë vrasësit – ‘vajtojnë’, të gjithë ‘thërrasin për drejtësi’, të gjithë i duan “vrasësit prapa grilave” dhe të gjithë ua njohin “meritat të vrarëve”.

Në sfondin e këtillë të këtij makabriteti politik e shoqëror, viktimat e vetme megjithatë kanë ngelur të vrarët dhe ndoshta familjet e ngushta të tyre.

“Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet,  vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës”, thuhet në njoftimin e TKK-së me rastin e premierës “Sfinga e gjallë”.

Në shfaqje luajnë: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati e Dukagjin Podrimaj.