Shfaqja ‘Karnavalet e Korçës’ jepet nesër premierë në Teatrin Kombëtar

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të shfaqet nesër në mbrëmje duke filluar nga ora 20:00 premiera e shfaqjes “Karnavalet e Korçës” me tekst të shkrimtarit Spiro Çomora dhe regji të Altin Bashës.

Komedia “Karnavalet e Korçës” është një prej teksteve më të mira të dramaturgjisë shqiptare, e cila pavarësisht kohës kur është shkruar korrespondon me aktualiteti, ku interesat, korrupsioni, kapja e shtetit, e fenomene të ngjashme karakterizojnë edhe sot shoqërinë shqiptare.

Andaj, sipas regjisorit të shfaqjes Altin Basha, publiku përveç lojës së aktorëve do të shijojë edhe një shfaqje komike përmes së cilës thumbohen veset e këqija.

Duke folur rreth shfaqjes së nesërme dhe përgatitjeve të bëra gjatë konferencës për media në vigjilje të premierës, regjisori Basha ka pohuar se TKK ka një trupë profesioniste me të cilët ai ka arritur të realizojë shfaqje që janë pritur mirë nga publiku dhe të njëjtin sukses shpreson të arrijë edhe me “Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorës.

“Shfaqja trajton disa problematika të cilat rezonojnë edhe sot, siç janë pabarazia sociale, kapja e shtetit, korrupsioni, raportet e biznesit me politikën”, ka thënë Basha.

Basha nuk ka lënë pa prekur edhe çështjet e inskenimit të dramës kombëtare në teatrot tona, duke pohuar se TKK-ja qëndron më mirë në këtë aspekt.

Në shfaqje luajnë: Luan Jaha, Adem Karaga, Ilire Vinca, Edona Reshitaj, Ernest Malazogu, Besart Sllamniku, May-linda Kosumoviç, Arta Selimi, Ermal Sadiku, Ylber Bardhi, Muhamet Zeka, Qëndresa Kajtazi.