Shfaqja ‘Artisti i vetëm’ mbyll sot në mbrëmje festivalin ‘MonoAkt’

Monodrama “Artisti i vetëm” me tekst të Ralph Hammerthaler me regji dhe interpretim të Naim Berishës shfaqet sot në mbrëmje në Teatrin “Istref Begolli”, të Pejës në kuadër të festivalit “MonoAkt”.

Shfaqja është në programin konkurrues të festivali dhe trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për t`u vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale.

Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kultminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen.

Me shfaqjen e kësaj monodrame “Artisti mi vetëm” mbyllet programin zyrtar i Edicionit të 11-të të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAkt”,

Po sot në mbrëmje sipas programit do të bëhet edhe ndarja e çmimeve të këtij festivali nga një juri në përbërje të Nina Mazur nga Ukraina/Gjermania, Liviu Dospinescu nga Kanadaja dhe Emin Emini nga Kosova.

Në këtë edicion të “MonoAktit” u prezantuan shfaqje nga vende evropiane si nga Kroacia, Azerbexhani, Maqedonia, si dy shfaqje kosovare.

Shfaqjet e “MonoAkt” janë mbajtur në Teatrin ‘Istref Begolli’ në Pejë, në Teatrin “Dodona” si dhe në Skenën e Fakultetit të Arteve.

Festivali organizohet nga shtëpia teatrore filmike AKT, dhe është mbështetur nga ITI dhe MKRS dhe Komuna e Pejës.