Sherifi: Shkarkimi i Jabllanoviqit Mjafton për Shtyrjen e Protestës

Shkarkimi i ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, për Nismën është bazë e mjaftueshme që protesta e nesërme të shtyhet.

Bilall Sherifi nga kjo parti, tha për KALLXO.com se nëse kjo kërkesë plotësohet, atëherë mjafton që protestat për çështje tjera të shtyhen.

“Sigurisht se kjo do të ishte një arsye e mjaftueshme për të shtyrë protestat për çështje tjera. Ka bazë të mjaftueshme plotësimi i kërkesës për shkarkim, e cila ka qenë kërkesë e të gjithë qytetarëve”, tha Sherifi.

Ai tha se në parim tri partitë politike opozitare kanë qenë për shtyrjen e protestës për çështje të tjera, nëse shkarkohet Jabllanoviqi.

Megjithatë, i pyetur nëse për çështje tjera ka vend për të debatuar në Kuvendin e Kosovës, ai tha se “duhet të shfrytëzohen të gjitha hapësirat tjera para se të vihet deri te protestat”.