Bilall Sherifi - Foto: Facebook

Sherifi: Nisma Fitoi Malishevën, Bashkëqeveris në 10 Komuna

Nisma për Kosovën ka falënderuar të gjithë qytetarët që mbështetën kandidatin e saj për kryetar të Malishevës, Ragip Begaj, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u zhvillua dje.

Ragip Begaj do ta drejtojë për mandatin e dytë me radhë Malishevën, pasi mposhti kandidatin e PDK-së me 55.81 % të votave.

Në një konferencë për media, sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi, tha se Nisma ka ndihmuar në 10 komuna kandidatët e caktuar të marrin postet e kryetarit, prandaj do të bashkëqeveris në këto komuna.

“Përpos Malishevës, për të cilën siç thamë e kemi konfirmuar se do jetë Nisma edhe  për katër vitet e ardhshme, Nisma ka pasur edhe koalicione. Ju e dini se që në fillim, vendimi i kryesisë së partisë ishte që të lidhemi në koalicion në bazë të atij që kandidon e jo çfarë partie i takon. Në Prizren kemi pasur një marrëveshje, mes Zafir Berishës dhe Mytaher Haskukës. Tanimë Haskuka ka korrur fitore. Nisma ka mbështetur kandidatët në Suharekë, Rahovec, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri, Kamenicë dhe Ferizaj”, shtoi Sherifi.

“Në 10 komuna kemi qenë përcaktues se kush do të fitojë komunën. Votat e Nismës kanë luajtur rol të rëndësishëm dhe kjo është gjë e mirë. Do të vazhdojmë të realizojmë projektet kudo që do të bashkëqeverisim”, theksoi Bilall Sherifi.