Shërbyesit civilë në Zyrën e Kryeministrit hyjnë në grevë për rritje të pagave

Shërbyesit civilë në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës sot kanë filluar grevën për mos rritjen e pagave të këtij sektori.

Mursel Zymberi, kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Kosovës, tha për KALLXO.com se stafi civil i ZKM-së ka hyrë në grevë dhe do të vazhdojnë të jenë deri në përmbushje të kërkesave të tyre.

“Po janë në grevë dhe nuk do ta ndërpresin deri kur t’u përmbushen kërkesat e tyre për ngritjen e pagave. Është një vendim diskriminues jo vetëm ndaj sektorëve të tjerë por edhe brenda sektorit të shërbyesve civil brenda Qeverisë. Me këtë vendim kanë përfituar katër zyre të Qeverisë dhe kanë mbetur edhe po aq edhe më shumë pa përfituar nga ky vendim”, tha Zymberi.

Sipas tij, kryeministri Haradinaj, me vendimin për rritje të pagave, ka diskriminuar një pjesë të stafit civil brenda zyrës së tij.

“Kryeministri i ka favorizuar personat që i ka të dëgjueshëm afër vetes dhe ka lënë anash ata të cilët e bëjnë punën e tyre profesionale, por që nuk janë servilë”, ka thënë Zymberi.