Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Shërbyesit civilë edhe nesër në grevë

Shërbyesit civilë të Komunës së Prishtinës ditën e sotme e kanë filluar me grevë njëorëshe, për shkak të pakënaqësive të tyre për koeficientin e paraparë në Projektligjin për Paga.

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, tha për KALLXO.com se që nga nesër kjo grevë do të vazhdojë në të gjitha komunat, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Greva nesër do të fillojë nga ora 10:00 deri në ora 11:00. Kërkesat janë të formuluara dhe janë vetëm dy. Kërkesa e parë është nivelizim i pagës me sektorët e tjerë, do të thotë të ngritjes në krahasim me sektorët e tjerë si dhe kërkesa e dytë është njohja e përvojës së punës së personave të cilët janë larguar dhunshëm nga puna gjatë viteve 90-ta, derisa ju njihet kontributi tash edhe mësimdhënësve, mendoj se të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre nga pak gjatë asaj kohe”, tha Zymberi.

Ai tutje shtoi se Sindikata ka themeluar një këshill grevist së bashku me SBAShK-un.

“Tani që situata është në këtë pikë ne kemi themelu këshillin grevist. Po ashtu e kemi bashkuar edhe Sindikatën e Arsimit dhe kemi bërë një bashkëpunim. Në shpresojmë që kjo grevë të shkojë mirë dhe do të ndalemi vetëm më përmbushjen e kërkesave tona”, tha Zymberi për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar për grevën e sotme të shërbyesve civilë:

https://kallxo.com/nga-sot-ne-greve-edhe-sherbyesit-civil-te-komunes-se-prishtines/?fbclid=IëAR0Ëci3A1ëBYtsQ62ëFyv-fhxusqHcxeSmJHAivhbVCp1cKFuaJCnaJXtg

Ndryshe, Projektligji për Paga, i cili është shqyrtuar në Komisionin për Administratë Publike dhe pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës më 31 janar, ka shkaktuar shumë greva në vend. As mësimdhënësit dhe mjekët nuk janë pajtuar me kategorizimin e tyre në këtë Projektligj.

Koeficientet më të lartë të pagës, sipas këtij Projektligji, parashihen për presidentin, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës.