Shërbimi Korrektues porositi produkte serbe që t`u përgatis ëmbëlsira të burgosurve

Në tenderin 23.5 milionësh të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, që ishte bërë i njohur për kërkesat e disa instuticoneve të Kosovës që të furnizohen me artikuj ushqimor nga Serbia, ka bërë kërkesë edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Në kërkesën e saj kjo madje nuk i ka përjashtuar as produktet serbe siç janë “Palzma” dhe “Eurokrem”.

Kështu Qendrat e Paraburgimit dhe ato Korrektuese, kanë kërkuar 15 copë “Plazma” apo ekuivalente, 146,428 copë “Eurokrem” apo ekuivalente, por nuk kanë porositur “Smoki” si disa instuticione të tjera.

 

 

Po ashtu në këtë tender përveç këtyre produkteve, Qendrat e Paraburgimit dhe ato Korrektuese, të cilat gjenden në disa komuna të Kosovës, kanë kërkuar nga AQP edhe 21 mijë kg makarona “Divella” apo ekuivalente, 80, 239 copë “Argeta” apo ekuivalente  dhe 58,425 peshk “Sardina” apo ekuivalente dhe 46 kg keksa “Petit Beurre” apo ekuivalente.

 

 

Në dallim prej instuticioneve të tjera që kishin porositur në këtë tender edhe pije energjike “Golden Eagle” e Red Bull” apo ekuvialente, këto qendra nuk kanë bërë një kërkesë të tillë.

 

Shërbimi Korrektues po ashtu në këtë tender ka kërkuar edhe 86,720 copë “Pop Kek” apo ekuivalente.

 

 

KALLXO.com ka drejtuar pyetje në Shërbimin Korrektues të Kosovës, për të marrë informacion se për çfarë nevoja janë porositur këto produkte.

Gëzim Mustafaj nga zyra për Prokurim në këtë institucion tha se keksat “Plazma” dhe “Petit Beurre” apo ekuivalente janë porositur për përgatitjen e ëmbëlsirave për festa të Qendrës Edukuese për të mitur.

“Më datën 12/06/2018 nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) kemi pranuar kërkesën për dërgimin e sasive për artikujt ushqimore. Emërtimet e artikujve i ka shënuar AQP-ja, kurse sasitë i kanë shënuar Qendrat Korrektuese dhe të Paraburgimit. Keks – “Plazma” ose ekuivalent është sasi e Qendrës Edukuese për të mitur dhe përdoren për përgatitjen e ëmbëlsirave për festa. Keks –  “Petit Beure” ose ekuivalent përdoren për përgatitjen e ëmbëlsirave për festa në të gjitha Qendrat Korrektuese dhe të Paraburgimit”, tha ai për KALLXO.com

Ai shtoi se ushqimet e tjera janë porositur për ushqim të burgosurëve.

“Sa i përket makarona “Divella”,  “Argeta”, peshk “Sardina”, “Eurokrem” ose ekuivalent dhe disa artikuj të tjerë të gjitha e kane fjalën “ekuivalent” që lejohet edhe më LPP. Këta artikuj përdoren për ushqim për të burgosurve”, tha tutje Mustafa.

Shërbimi Korrektues ka bërë kërkesë për këto qendra: Qendra e Paraburgimit në Pejë, Smrekonica, Qendra Korrektuese në Lipjan, Qendra e Paraburgimit në Prizren, Qendra Korrektuese në Dubravë, Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë, Qendra e Paraburgimit në Gjilan, Burgu i Sigurisë së Lartë, Qendra e Paraburgimit në Lipjan si dhe në Prishtinë.

Ndryshe, vendosja e markave të prodhueseve është e ndaluar me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Ndërsa AQP-ja e cila bënë prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar. AQP-ja, në arsyetimin e saj, ka thënë se kanë përdorur një shabllon të vitit 2015.

Për vendosjen e shabllonit të vjetër, KALLXO.com, ka marrë vesh se drejtori i përgjithshëm i AQP-së, Behxhet Rukiqi është dërguar në komision disiplinor nga Ministria e Financave.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për komunat që kanë bërë porosi në AQP për tenderin 23.5 milionësh dhe mund t’i shikoni në këtë LINK.