Shënohet java e imunizimit, Ministria apelon që të vaksinohen fëmijët 

Java Botërore e Imunizimit shënohet edhe në Kosovë, përmes aktiviteteve të ndryshme gjatë kësaj jave synohet që përmes aktiviteteve të organizuara të rritet vetëdijesimi për imunizim, e rrjedhimisht edhe përmirësimi  statusit shëndetësor të fëmijëve, thotë Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate.

“Vaksinimi i fëmijëve, sipas kalendarit vjetor të vaksinimit të obliguar me ligj, ka krijuar një traditë të mirë në deceniet e fundit në Kosovë. Vaksinimi në shkallë prej mbi 95% të fëmijëve në Kosovë, flet për një sukses të përbashkët të MSh-së, IKSHKP-së, UNICEF-it, OBSH-së, si dhe profesionistëve shëndetësor e prindërve kosovarë”, thotë MSh.

Sipas Ministrisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik- UNICEF-it dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë janë partnerë në parandalimin e rishfaqjes së sëmundjeve ngjitësi që mund të shkaktojnë paaftësi dhe vdekje.

Gjatë vitit 2019, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 539mijë euro për sigurimin e vaksinave nga kalendari i vaksinimit të obliguar me ligj dhe 350 mijë euro për vaksinat sipas indikacioneve epidemiologjike.

“MSh, rikujton se vaksinimi është mënyra më e lirë dhe më efikase për mbrojtjen e fëmijëve nga sëmundjet e parandalueshme përmes vaksinimit. Fëmijët kosovarë meritojnë të kenë vaksina cilësore dhe me kohë. Prandaj, MSh u bën apel prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre dhe kështu ta mbrojmë shëndetin e tyre”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com kohë më parë ka raportuar për pasojat e mosvaksinimit të fëmijëve kryesisht te familjet e komunitetit RAE. Sabile Kasumi nga Fushë Kosova para dy viteve e humbi vajzën e vogël 15 muajshe, Rabijen pasi që ajo nuk ishte vaksinuar me vaksinën kundër fruthi dhe ishte prekur duke e bërë kështu sëmundjen të papërballueshme për të.

https://kallxo.com/ne-mes-te-frikes-nga-autizmi-dhe-semundja-e-fruthit/