Zemaj komenton mosrespektimin e masave COVID-19

Masat e vendosura për parandalim të përhapjes së pandemisë së coronavirusit nuk janë duke u respektuar në këto kohë fushate.

Pavarësisht kësaj, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot në konferencë për media apeloi të respektohen masat e vendosura. Ai gjithashtu bëri thirrje që të dënohen personat e papërgjegjshëm të cilët thyejnë rregullat.

“Thirrja jonë për respektim të masave është permanente, edhepse jemi në fushatë elektorale edhe do të vijë edhe fushata zgjedhore kujdesi duhet të jetë nga të gjithë, duke filluar nga ata që i ftojnë njerëzit, deri te njerëzit që janë pjesë e aktiviteteve fizike, distanca, higjiena dhe maskat janë obligative, numri  është i kufizuar. Përtej çdo numri të devijuar për çfarëdo aktivitetit duhet të ketë zbatim rigoroz të masave nga inspektorët dhe Policia e Kosovës, kjo është thirrja jonë”, tha ai.

“Çdo kush duhet të thërret vetëveten dhe të mos bëhet pjesë e shkeljes së ligjit. Sa i përketë evaluimit të masave në këto ditë apo edhe ditën e djeshme kemi pasë numër rekord të testimeve të bëra në Republikën e Kosovës”, shtoi tutje ministri.

Pjesë e personave të cilët kanë thyer rregullat anti-Covid, është edhe vet ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili është parë në një tubim me mbi 30 persona në një vend.

Masat e vendosura nga Ministria e udhëhequr nga ai dhe IKShPK, thonë se në ambiente të mbyllura nuk lejohen mbi 30 persona, ndërsa në ambient të hapur lejohen deri në 50 persona.

Përveç Zemajt, rregullat për mbajtje të distancës i kanë thyer edhe partitë e tjera të cilët janë në parafushatë zgjedhore.

Vlen të përmendim se grumbull qytetarësh janë parë edhe në IKShPK, në objektin ku qytetarët ishin në pritje për marrje të rezultatit për COVID-19.

KALLXO.com më 13 dhe 14 dhjetor ka qenë në këtë objekt dhe ka parë mos respektim të masave nga ana e qytetarëve.

Kujtojmë se në nivel vendi janë mbi 58 mijë persona të infektuar me COVID-19, ndërsa mbi 1 mijë 400 të tjerë kanë vdekur.

Kosova është duke u ballafaqur me pademinë SARS-Cov-2 që nga muaji mars.