U.D. i ShSKUK, Valbon Krasniqi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Valbon Krasniqi zgjidhet drejtor i ShSKUK-së në konkursin e politizuar dhe jotransparent

Garën për drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës e fitoi sot Valbon Krasniqi, ish-kandidat për deputet nga LDK-ja.

Krasniqi është kthyer në garën për drejtor të ShKSUK, pasi ishte eliminuar fillimisht për mungesë të përvojës menaxheriale.

Në fazën e fundit të këtij konkursi gara u bë mes Krasniqit dhe Basri Lenjanit, pasi tre kandidatë të tjerë ishin larguar nga gara me akuza për parregullsi në këtë konkurs.

Kraniqi është vlerësuar me 34 pikë në test,  8 në CV si dhe 49.2 në intervistë, ndërsa Lenjani  mori 19 pikë në test, 10 në vlerësimin e CV-së dhe 46.6 në intervistë.

Lidhur me këto rezultate, kandidatët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditëve.

Konkursi ku fitues doli Krasniqi u përcoll me akuza për politizim dhe jo transparencë.

BIRN kishte kërkuar nga Bordi i ShSKUK-së që t’i lejohet monitorimi në këtë konkurs por të njëjtët nuk e lejuan monitorimin.  Madje ekipi i BIRN-it u njoftua se nuk u lejohet të monitorojnë 20 minuta pasi filloi testimi me shkrim për kandidatët.

Kujtojmë se BIRN kishte kërkuar edhe qasje në dokumente publike për të kuptuar pse është rikthyer në garë për drejtor Valbon Krasniqi pasi fillimisht ishte eliminuar për mungesë të plotësimit të kritereve sa i përket përvojës menaxheriale. As në këtë çështje nuk ka pasur transparencë nga bordi i ShSKUK-së.

Dyshimet se në këtë konkurs ka parregullsi kishin filluar me rikthimin në garë të Valbon Krasniqit të cilin njësia e burimeve njerëzore fillimisht e ishte larguar nga gara për shkak të mungesës së përvojës në punën menaxheriale, ndërsa më vonë u rikthye në garë.

Me tu rikthyer në garë Valbon Krasniqi tre kandidatët tjerë, Saudin Maliqi, Driton Ukmata dhe Gani Halilaj, janë larguar nga kjo garë, pasi që sipas tyre ky konkurs është i politizuar.

Testit me shkrim i janë nënshtruar vetëm dy kandidatë nga pesë sa ishin në fillim, Valbon Krasniqi, i cili ka qenë në garë për deputetë nga radhët e LDK-së, dhe Basri Lenjani.

KALLXO.com është munduar të flasë edhe me Basri Lenjanin, shef i Emergjencës, në lidhje me këtë konkurs por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.