Foto: Kallxo.com

Vaksinimi kundër COVID-19 mund të lë fshatrat e Prishtinës pa mjekë edhe për disa muaj

Që nga fillimi i këtij viti shumë qendra shëndetësore në fshatrat e Prishtinës kanë mbetur pa staf mjekësor, kjo pasi një numër i madh i tyre kanë shkuar në specializim e të tjerë janë angazhuar në procesin e vaksinimit kundër COVID-19.

Komuna ishte detyruar që stafin e fshatrave ta angazhojë në pika më të mëdha shëndetësore. Madje, edhe në Qendra mjekësore në qytet ka mungesë të stafit, pasi shumë prej tyre janë të angazhuar në vaksinim kundër COVID-19.

Në muajin maj të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte hapur thirrje për shtim të stafit mjekësor për mbi 40 pozita.

Ky konkurs nuk është mbyllur ende, pasi është duke vazhduar procesi i intervistimit dhe ka ende thirrje për pozita të caktuara.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë për KALLXO.com se, në fund të këtij muaji pritet të përfundojë procedura e konkursit, ndërsa angazhimi i stafit të ri ka mundësi të fillojë në muajin shtator.

“Shpresojmë që deri në fund të muajit gusht të përfundojnë procedurat e konkursit me mundësi që të fillojnë me punë në muajin shtator”, ka thënë Gashi.

Gashi tutje theksoi se kanë 7 ekipe të angazhuara në vaksinim masiv për COVID-19 dhe nuk do jetë e lehtë të mbulohen pikat shëndetësore në fshatra përderisa ka proces masiv të vaksinimit.

“Duke marrë parasysh që i kemi 7 ekipe të angazhuara në vaksinimin e popullatës kundër COVID-19, do të mundohemi t’i mbulojmë edhe ato pak Ambulanta që na kanë mbetë, mirëpo nuk do të jetë e lehtë deri sa të zvogëlohet angazhimi në vaksinimin masiv në sallën 1 Tetori”, shtoi tutje Gashi.

Komuna e Prishtinës nuk ka të drejtë të mbajë më shumë se 871 mjekë në kujdesin parësor shëndetësor.

Një numër të madh të stafit, komuna e ka angazhuar në Sallën “1 Tetori” ku po vazhdon procesi i vaksinimit për COVID-19.

Përpos stafit të komunës, në këtë qendër po ndihmon edhe një staf nga Kryqi i Kuq dhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Deri tani në nivel vendi janë administruar 428 mijë doza të vaksinave, prej tyre 282 mijë janë me dozën e parë, kurse 146 mijë edhe më dozën e dytë.

Aktualisht në Kosovë po jepen dy lloje të vaksinës, ajo e Pfizer dhe AstraZeneca.