Vaksinimi dydozësh ju bën tri herë më pak të cenueshëm për t’u infektuar me COVID

Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë gjetur se njerëzit që kanë marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19 kanë tri herë më pak gjasa të testohen pozitivisht me virusin sesa njerëzit të cilët nuj janë vaksinuar fare.

Studimi në fjalë zbuloi se 0.40 për qind e atyre që kishin marrë dozën e dyfishtë ishin pozitiv, krahasuar me 1.21 për qind të njerëzve të pavaksinuar, shkruan Euronews

Për më tepër, u arrit në përfundimin se njerëzit plotësisht të vaksinuar kishin gjysmën e gjasave për të rezultuar pozitivë pasi kishin rënë në kontakt me dikë që kishte COVID -19 sesa njerëzit që nuk ishin vaksinuar –  respektivisht3.84 përqind e mostrës krahasuar me 7.23 përqind.

Gjetjet e studimit janë të fundit nga testi Real Time Assessment of Community (REACT-1) i udhëhequr nga ‘Imperial College’ në Londër i cili monitoron nivelet e infeksionit COVID-19 me kalimin e kohës në të gjithë Anglinë.

‘Asnjë vaksinë nuk është 100 % efektive’

Rezultatet për raundin e fundit të studimit u bazuan në 98,233 teste të bërë midis 24 qershorit dhe 12 korrikut të këtij viti, me mostra të analizuara nga testimi i PCR.

Pas analizimit të rezultateve të testit PCR, Imperial College tha gjithashtu se njerëzit e vaksinuar plotësisht mund të kenë më pak të ngjarë se njerëzit e pavaksinuar për ta trasferuar virusin tek të tjerët, sepse ata kanë tendencë të kenë një ngarkesë më të vogël virale mesatarisht dhe prandaj ka të ngjarë ta shpërndajnë më pak virus.

“Këto gjetje konfirmojnë të dhënat tona të mëparshme që tregojnë se të dy dozat e një vaksine ofrojnë mbrojtje të mirë kundër infektimit,” tha profesori Paul Elliott, drejtor i programit REACT nga Imperial’s School of Public Health.

Mostrat e pacientëve që testohen për antitrupat COVID-19. Foto: Unsplash

“Sidoqoftë, ne gjithashtu mund të shohim se ekziston ende një rrezik infeksioni, pasi asnjë vaksinë nuk është 100 për qind efektive, dhe ne e dimë se disa njerëz të vaksinuar me dy doza ende mund të sëmuren nga virusi,” paralajmëroi ai.

Imperial’s School of Public Health tha se 100 përqind e të gjithë mostrave pozitivë në këtë raund kërkimor ishin të variantit Delta të virusit, i njohur për të qenë më infektiv se sa varianti i mëparshëm Alpha.

Infeksionet më të larta tek të rinjtë

Studimi gjithashtu zbuloi se nivelet më të larta të infeksionit u gjetën tek të rinjtë e moshës 13 deri në 24 vjeç në 1.56 përqind, ndërsa më të ulëtat ishin tek njerëzit e moshës mbi 75 vjeç në 0.17 përqind.

Gratë kishin një rrezik më të ulët të testimit pozitiv në raport me meshkujt me 0.55 përqind në krahasim me 0.71 përqind.

Në raundin e mëparshëm kërkimor midis 20 majit dhe 7 qershorit, lloji Delta u gjet në gati 80 përqind të testeve pozitive, pjesa tjetër ishte e llojit Alpha.

“Varianti Delta dihet se është shumë infektiv, dhe si rezultat, ne mund të shohim nga të dhënat tona dhe të tjerët se infeksionet e mëdha po ndodhin tek njerëzit plotësisht të vaksinuar,” tha Steven Riley, Profesor i Dinamikës së Sëmundjeve Infektive në Imperial’s School of Public Health.

“Ne duhet të kuptojmë më mirë se sa infektues janë njerëzit e vaksinuar plotësisht të cilët infektohen, pasi kjo do të ndihmojë në parashikimin më të mirë të situatës në muajt e ardhshëm, dhe gjetjet tona po kontribuojnë në një pasqyrë më gjithëpërfshirëse të krejt  kësaj”.

Përkthimi: Nuhi Shala