Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj nuk respekton masat anti-COVID

Universiteti i Ferizajt vazhdon të mos i respektojë masat anti-COVID

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është njëri ndër universitetet i cili po vazhdon të mos i respektojë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Që nga muaji nëntor, në këtë universitet mungojnë posterët me udhëzimet për respektimin e masave anti-COVID. Fillimisht në nëntor në dyert e hyrjes së universitetit kanë qenë dy shenja paralajmëruese në gjuhën angleze për vendosjen e maskës, kurse tashmë është vetëm një.

Brenda universitetit mungojnë edhe shenjëzimet për mbajtjen e distancës e cila është njëra ndër masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Duke iu referuar masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës, tash e tre muaj KALLXO.com është duke monitoruar të gjitha universitetet publike në Kosovë për të parë respektimin e masave anti-COVID.

Në muajin nëntor, dhjetor dhe në muajin janar, nëpër klasat e UShAF po vazhdon të mungojë shenjëzimi ku tregohet se sa studentë lejohen të qëndrojnë brenda auditoriumeve. Shenjëzimi nuk është bërë as nëpër koridoret e universitetit.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Në përgjigjet e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj thuhet se Sekretari i këtij universiteti është caktuar për monitorimin e implementimin e masave që bazohet në “Manualin për mbrojtje nga përhapja COVID-19”.

“Objekti dezinfektohet dy herë në javë”, thuhet në përgjigjen e UShAF për KALLXO.com.

Edhe pse objekti i universitetit dezinfektohet dy herë në javë dhe ofron të gjitha shërbimet administrative për studentët, monitoruesit e KALLXO.com kanë vërejtur se në hapësirat e brendshme të këtij universiteti nuk ka aparate me dezinfektues apo dezinfektues të lëngshëm, të cilët do të mund të përdoreshin nga studentët.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj nuk është i pajisur as me termometër me rreze për matjen e temperaturës.

“Pasi që mësimi është duke u zhvilluar online dhe stafi administrativ punon me orar të reduktuar si dhe frekuentimi i stafit akademik dhe studentëve në UShAF është shumë i vogël, nuk e kemi parë të nevojshëm të kemi termometër për matjen e temperaturës”, thuhet në përgjigjen e UShAF.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Për shkak të pandemisë së COVID-19, ligjëratat e vitit të ri akademik 2020/2021 në universitetet publike dhe private në Kosovë janë duke u zhvilluar online. Por, ushtrimet, pjesa praktike, provimet dhe shërbimet administrative janë duke u mbajtur fizikisht.

Por edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës se universitetet duhet të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të njëjtat janë duke hasur në vështirësi.

Sipas IKShPK-së universitetet duhet të vendosin udhëzues për respektimin e masave anti-COVID. Por në ambientet e UShAF mungojnë udhëzuesit.

Posterët me udhëzues nuk janë të vendosur as në hyrje të universitetit e as në korridore. E njëjta situatë është vërejtur në muajin nëntor, dhjetor dhe janar. Në muajin nëntor në derën e hyrjes janë vërejtur dy posterë të vogël në gjuhën angleze, ku kërkohet vendosja e maskës. Ndërsa në muajin janar, në derë është vërejtur vetëm një i tillë.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Monitoruesit e KALLXO.com kanë vizituar edhe banjot e universitetit. Nëpër banjo nuk është parë sapun për duar e as letër higjienike.

UShAF nuk ka të dhëna sa i përket studentëve dhe pjesëtarëve të stafit të cilët janë të infektuar me COVID-19.

“Pasi që mësimi është duke u zhvilluar online, nuk ka prezencë të studentëve dhe stafit në UShAF, si dhe gjithashtu stafi administrativ është duke punuar shumicën e kohës online nga shtëpia dhe prezenca në UShAF është e reduktuar dhe me rotacion nuk kemi mbajtur evidencë nëse dikush është infektuar nga stafi dhe studentët”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së. Ky vendim do të shqyrtohet vazhdimisht, varësisht nga situata e COVID-19 në Kosovë.

Në anën tjetër, vendi është duke luftuar pandeminë e COVID-19, ku deri më tani mbi 58 mijë persona janë infektuar ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.