Tri shkolla në Drenas shënojnë raste pozitive me COVID-19

Shifrat e rasteve të reja me COVID-19 janë rritur ditëve të fundit në mënyrë drastike në Kosovë.

Vetëm brenda gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 418 persona pozitiv me këtë sëmundje nga 1.608 mostra të marra.

Nga ky rezultat, shtatë janë komunën e Drenasit.

Virusi ka prekur edhe mësimdhënësit e nxënësit nëpër shkollat e Kosovës që kur filluan mësimin në bankat shkollore.

Tre mësimdhënës dhe një nxënës kanë rezultuar pozitiv në Drenas.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Muhamet Gjoka për KALLXO.com njoftoi se rastet janë në shkollat fillore “Luigj Gurakuqi” në fshatin Sankoc, “Xhevë Lladrovci” në fshatin Gllanasellë dhe “Rexhep Gjeli” në fshatin Likoshan.

“Ketë javë kemi tre mësimdhënës që kanë rezultu pozitiv, një staf teknik dhe një nxënës. Jemi në koordinim me Institutin duke i dërgu listat për të dhënave. Jemi duke i testu dhe është në kontroll por me tendence të rritjes. Në bazë të rekomandimeve të Institutit kemi izolu vetëm klasa. Kam kërku që me u testu edhe stafi i çerdhës njëkohësisht anipse nuk kemi raste por me gripe pasi që është sezona e po kemi më vështirë me i identifiku. Stafi i mësimdhënësve në fshatin Gllanasellë është testu, ende nuk e kemi rezultatin”, u shpreh Gjoka.

Numri total i rasteve positive në vend është 19.328 raste nga 92.706 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 678 raste të vdekjes.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes.

Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar. Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.