Testi i gjakut tregon nëse organet tona plaken shpejt apo ngadalë

Ngjashëm si ta bësh një MOT (Testi i Ministrisë së Transporteve) në një veturë, shkencëtarët besojnë se mund ta bëjnë një test gjaku për të kontrolluar se sa shpejt plaken organet e brendshme të një personi dhe madje të parashikojnë se cilat prej tyre së shpejti mund të dështojnë.

Ekipi i Universitetit Stanford thotë se mund t’i monitorojnë 11 pjesë kryesore të trupit, duke përfshirë zemrën, trurin dhe mushkëritë.

Ata e provuan këtë në mijëra të rritur, kryesisht të moshës së mesme ose më të vjetër.

Rezultatet sugjerojnë se një në pesë të rritur të shëndetshëm të moshës mbi 50 vjeç mund të ketë të paktën një organ që plaket shpejt.

Një deri në dy në çdo 100 persona mund të kenë disa organe që testohen më të vjetra se vitet e ditëlindjes së tyre.

Ndërkohë që ideja e kontrollit mund të jetë e frikshme, mund të jetë një mundësi për të ndërhyrë dhe për ta ndryshuar kursin, thonë studiuesit.

Të qenurit në dijeni se cilat organe janë në rënie të shpejtë mund të ndihmojë në zbulimin e problemeve shëndetësore që mund të shfaqen, thonë studiuesit në revistën Nature.

Hendeku i moshës së organeve

Për shembull, një zemër “e vjetër për kohën e vet” e rrit rrezikun e dështimit të zemrës, ndërsa një tru që plaket me shpejtësi mund të jetë më i prirur ndaj demencës.

Në studim, plakja e shpejtë e një ose më shumë organeve lidhej me një rrezik më të lartë të sëmundjeve të caktuara dhe vdekjes gjatë 15 viteve të ardhshme.

Pjesët e trupit që studiuesit i kanë kontrolluar përfshijnë: Trurin, zemrën, mëlçinë, mushkëritë, zorrët, veshkat, yndyrën, enët e gjakut (arteriet), indin imunitar, muskujt dhe pankreasin.

Testi i gjakut kërkon nivele të mijëra proteinave për të ofruar të dhëna se cilat organe po plaken me ritme të ndryshme.

Modeli i proteinave të zbuluara dukej se ishte specifik për organe të veçanta.

Studiuesit trajnuan një algoritëm të mësimit makinerik për t’i bërë parashikimet duke përdorur shumë rezultate të testeve të gjakut dhe të dhëna të pacientit.

Një nga hetuesit, Dr Tony Wyss-Coray, thotë: “Kur e krahasuam moshën biologjike të secilit prej këtyre organeve për çdo individ me homologët e tij midis një grupi të madh njerëzish pa sëmundje të dukshme të rënda, zbuluam se 18.4% e atyre të moshës 50 vjeç ose më të vjetër kishin të paktën një organ të plakur dukshëm më shpejt se mesatarja.

“Dhe ne zbuluam se këta individë janë në rrezik të shtuar për sëmundje në atë organ të veçantë në 15 vitet e ardhshme”.

Tani universiteti i ka dorëzuar dokumentet për ta patentuar testin, në rast se mund të përdoret dhe shitet.

Më shumë studime nevojiten për të kontrolluar se sa mirë është në parashikimin e moshës së organeve dhe shëndetit para kësaj.

Disa nga punimet e mëparshme të Dr Wyss-Coray sugjerojnë se procesi i plakjes biologjike nuk është i qëndrueshëm, por vjen me shpërthime, me disa përshpejtime të shpejta në mesin e viteve ’30, në fillim të viteve ’60 dhe në fund të viteve ’70.

Prof James Timmons, ekspert në shëndetin dhe sëmundjet e lidhura me moshën në Universitetin Queen Mary të Londrës, i ka studiuar gjithashtu markerët e gjakut të moshës biologjike. Puna e tij fokusohet në ndryshimet e zbulueshme të gjeneve, në vend të proteinave.

Sipas tij,  se gjetjet e fundit nga Dr Wyss-Coray janë mbresëlënëse, por kanë nevojë të vërtetoheshin në më shumë njerëz, veçanërisht ata më të rinj me prejardhje të ndryshme etnike.

“A është kjo plakje apo një mënyrë e re për t’i zbuluar biomarkerët e hershëm të sëmundjeve të lidhura me moshën? Autorët e favorizojnë të parën, nuk mendoj se kjo e fundit është e përjashtuar”- thotë ai.

Prof Paul Sheils, ekspert në biologjinë e plakjes në Universitetin e Glasgow, thotë se është ende e rëndësishme të shikohet i gjithë trupi, jo vetëm organet individuale, për ta krijuar pamjen më të saktë të shëndetit të një personi.

Caroline Abrahams nga shoqata bamirëse Age UK thotë se ndërkohë që është diçka e mrekullueshme që shkenca po e eksploron zbulimin e mëhershëm të sëmundjeve serioze të lidhura me moshën, duhet marrë në konsideratë faktin se si njerëzit mund të ndihen duke jetuar me këto të njohura.

Nëse bëhet realitet, ajo thotë se njerëzit do të dëshironin mbështetje emocionale dhe klinike së bashku me rezultatet e testit dhe se institucionet relevante do të duhej të jenë gati për këtë – dhe të kenë fondet për ta ofruar të njëjtin./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala