Diola Dosti- Baftiu, nutricioniste. Foto: Kallxo.com

Të mirat dhe të këqijat e vajit të palmës

Ka vërtet shumë qëndrime kontraverse të cilat e vendosin konsumatorin në udhëkryq, nëse duhet apo jo të përdorin vajin e palmës.

Sipas Nutricionistes, Diola Dosti-Baftiu është e rëndësishme që të pajisemi me njohuri bazë se çfarë është vërtet vaji i palmës dhe a ka vlerë apo antivlerë nutricionale.

Dosti Baftiu thotë se vaji i palmës është përdorur para 5000 vitesh. Sipas saj në vitin 1800, arkeologët gjetën vaj palme në varret egjiptiane që datojnë në vitet 3000 B.C. Kurse si vaj gatimi, është përdorur kryesisht në Afrikë.

Jo vetëm kaq, por afrikanët e përdornin dhe si antidotë kundër helmimeve, si kurë për gonorrhea, laksativ natyrale, diuretik dhe trajtim për dhimbjet e kokës si dhe infeksionet e lëkurës. Vaji i palmës prodhohet në Malajzi dhe Indonezi.

“Një studim në 2016, tregoi se 45% e tokës në këto zona, tani përdoren vetëm për prodhim të këtij vaji. Në vitin 2004, u themelua RSPO (Roundtable on Sustainable Palm Oil), e cila theksoi përgjegjësinë mbi prodhimin e vajit të palmës që do të minimizonte impaktin në mjedis dhe komunitet. I gjithë problemi me vajin e palmës është se vaji i palmës nuk prodhohet njësoj. Dhe këto diferenca në prodhim, bëjnë dhe diferencën në shëndet” thotë ajo.

Sipas Dosti Baftiut,  vaji i palmës, ai tipiku me ngjyrë të kuqe, i cili është i parafinuar është shumë i pasur me karotenoide dhe antioksidantë.

“ Jo vetëm kaq, por duke konsumuar 1 lugë gjelle vaj palme të parafinuar në ditë, ne përfitojmë nga aspekti shëndetësor. Si për shembull, redukton nivelet e kolesterolit të keq, ngadalëson progresin e sëmundjeve të zemrës, promovon shëndetin e trurit, rrit nivelin e vitaminës A, redukton stresin oksidativ, përmirëson shëndetin e lëkurës dhe flokëve etj.” thotë ajo.

Nutricionistja thotë se një studim nga  Journal of Nutrition, tregoi se konsumi i vajit të palmës së parafinuar, ulë nivelin e kolesterolit të keq me 13,1% dhe nivelin e triglicerideve me 6.7%, sipas saj një tjetër studim në 2016 në Kolumbi , tregoi se vaji i palmës i parafinuar, ka të njëjtin efekt me vajin e ullirit në uljen e kolesterolit të keq dhe triglicerideve.

Dosti Baftiu thotë se dallimi në mes të vajit të palmës së parafinuar dhe atij të rafinuar e bënë diferencën e ndikimit në shëndetin e njeriut.

“Në shumicën e tregjeve, gjendet vaj i palmës së rafinuar dhe oksiduar për qëllime kulinarie. Prandaj dhe vende të ndryshme, kur kanë analizuar përmbajtjen e saj në produkte si çokokremi, kanë gjetur efekte anësore të mëdha. Sepse është vaj i rafinuar! Njësoj sikur të përdorim vaj të rafinuar të kokosit. Sigurisht që do në bëjë dëm.  Duke qenë se kërkesat për vajin e palmës nga ana industrive ushqimore janë rritur, vendet si Malajzia, kanë filluar shpyllëzimin. Gjë që shoqërohet me humbje të diversitetit biologjik” thotë ajo.

Prandaj sipas nutricionistes u themelua The Roundtable on Sustainable Palm Oil (RSPO), një organizatë e cila fokusohet në prodhimin e vajit të palmës duke qenë miqësorë me mjedisin.