Të gjitha llojet e hemoroideve nuk shërohen me krema
Në TikTok janë publikuar video (shih këtu, këtu dhe këtu), që pretendojnë se me kremëra, suplemente e receta mund të shërohen hemorroidet. Këto faqe garantojnë shërim të hemorroideve deri në 100%, madje shpesh nëpër komente të publikimeve të tyre, ndajnë edhe “përvoja”, të klientëve të kënaqur me produktet të cilat ata i reklamojnë dhe shesin.
Kirurgu abdominal, Valon Zejnullahu ka thënë se trajtimi nuk guxon të bëhet pa konsultë me mjekun.
“Hemorroidet janë struktura normale vaskulare në kanalin anal. Ato dalin nga kanalet arteriovenoze dhe drenohen në venat hemorroidale superiore dhe inferiore. Lokalizimi i tyre anatomik është zakonisht, në anën e majtë, në anën e djathtë, djathtas nga pas (ora 3, 7, 11) – duke korresponduar me venat superiore dhe të mesme rektale. Trajtimi i hemorroideve nuk guxon të bëhet pa konsultën e mjekut nga fusha përkatëse (gastroenterologu dhe kirurgu abdominal), për shkak se mund të ketë edhe patologji të tjera në këtë regjion, siç janë: tumoret anorectale, fistullat, fisurat apo edhe sëmundjet inflamatore.” – thotë kirurgu abdominal, Valon Zejnullahu.
Sipas tij, masat parandaluese, si dieta dhe ndryshimi i stilit të jetesës, janë trajtimi më i mirë për të parandaluar hemorroidet.
“Në rastet me manifestim klinik, opsionet e trajtimit varen nga lloji dhe ashpërsia e hemorroideve, preferencat e pacientit dhe ekspertiza e mjekëve. Pavarësisht përparimeve diagnostike dhe terapeutike, dhimbja pas procedurës dhe rikthimi i sëmundjes mbeten sfida në trajtimin e hemorroideve.” – ka thënë Zejnullahu.
Ai ka shpjeguar edhe disa hapa të ekzaminimeve për këtë problem, si dhe shkaktarët e hemorroideve.
“Ekzaminimi digito-rektal, anoskopia dhe kolonoskopia dhe evaluimi laboratorik, nëse është i nevojshëm. Faktorët kryesorë që kontribuojnë në zhvillimin e hemorroideve përfshijnë: obstipacionin e sforcimet gjatë jashtëqitjes, moshën, shtatzëninë, tumoret e pelvikut, terapinë me antiagregues (mekanizëm ky ende i paqartë), dietën me pak fibra, rritjen e presionit anal, zvogëlimin e kthimit venoz, rritjen e pleksuseve venoze.” – shpjegon kirurgu Zejnullahu.
Ai tregon se sipas disa studimeve në SHBA, prevalenca e sëmundjeve hemorroidale është rreth 5%.
“Raportet vjetore tregojnë se ka rreth 2.5 milionë vizita ambulatore, për shkak të problemeve me hemorroide. Prevalenca është e barabartë në mes të dy gjinive, ndërsa mosha kur shfaqen më shpesh është nga 40 deri në 65 vjeç.” – thuhet në përgjigjen e Zejnullahut.
Simptomat kryesore të hemorroideve
Gastrologu, Arbër Veliu ka thënë se janë disa lloje të hemorroideve: të brendshme, të jashtme dhe të përziera.
“Hemorroidet janë zgjerime ose fryrje të venave në zonën e anusit. Ato ndahen në hemorroide të brendshme, të cilat ndodhen brenda rektumit dhe hemorroide të jashtme, që ndodhen në lëkurën rreth anusit. Këto zakonisht shkaktohen nga presioni i shtuar në venat e zonës anale, si gjatë shtatzënisë, kapsllëkut, tendosjes gjatë jashtëqitjes ose qëndrimit të gjatë ulur.” – ka thënë Veliu.
“Gjakderdhje gjatë jashtëqitjes (zakonisht gjak i kuq i ndritshëm), kruarje ose irritim në zonën anale, dhimbje ose ndjesi parehatie (veçanërisht në hemorroidet e jashtme), fryrje ose gungë në afërsi të anusit.” – ka shpjeguar gastrologu, Arbër Veliu.
Veliu, gjithashtu, ka thënë se konsultimi me mjekun është shumë i rëndësishëm, sepse ndihmon në saktësimin e diagnozës, përcaktimin e shkallës së hemorroideve, rekomandimin e trajtimit.
“Simptomat e hemorroideve (si dhimbja, kruarja, gjakderdhja rektale) mund të ngatërrohen me sëmundje të tjera më serioze, si: fisurat anale, polipet e zorrës së trashë, infeksione ose absces perianal dhe kanceri i zorrës së trashë. Hemorroidet kanë 4 shkallë: nga të lehta (grada 1) deri tek ato të rënda (grada 4). Trajtimi ndryshon në bazë të shkallës. Gradat e lehta mund të trajtohen në shtëpi, me ndryshime në stilin e jetesës dhe kremra. Gradat e rënda shpesh kërkojnë trajtime mjekësore ose trajtim kirurgjikal.” – tregon ai.
Sipas gastrologut Veliu, është mjeku ai i cili përcakton se cilat barna ose procedura janë më të përshtatshme për gjendjen e pacientit – duke shmangur efekte anësore ose trajtime të panevojshme.
“P.sh. përdorimi i tepruar i kremrave me kortizon mund të shkaktojë hollim të lëkurës, disa barna mund të mos jenë të sigurta për gratë shtatzëna ose ata me sëmundje kronike.” – ka thënë Veliu për Krypometër.
Ai apelon te qytetarët që të mos përdorin barna apo kremëra ‘krye në vete’, por të konsultohen me mjekun kompetent.
“Hemorroidet e patrajtuara mund të çojnë në gjakderdhje të vazhdueshme, që mund të shkaktojë anemi, trombozë (mpiksje gjaku), që shkakton dhimbje të madhe dhe infeksione.” – ka shtuar ai.
Proktologu, Kushtrim Gashi ka thënë se reklamat që po publikohen janë duke i dhënë shpresa të kota pacientëve, si dhe duke e rrezikuar shëndetin e tyre. Sipas tij, produktet që reklamohen nëpër rrjete sociale nuk mund t’i shërojnë hemorroidet e stadit 3 dhe 4.
“Këto preparate nuk shërojnë asnjë hemorroid. Këto preparate janë simptomatike: lehtësojnë gjendjen, por nuk shërojnë. Jo vetëm ky, por të gjitha preparatet. S’ka preparate që i shërojnë hemorroidet e stadit 3 dhe 4. Janë sëmundje me predisponim trashëgues ose shkaktohen nga mënyra jo e mirë e të ushqyerit (regjimi higjienodietetal). Herët ose vonë përfundojnë me operacion.” – ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se hemorroidet e jashtme në mënyrë të natyrshme tërhiqen pas një kohe.
“Në ditët e sotme, njerëzit i ngatërrojnë me hemorroidet e jashtme, të cilat trajtohen me këto preparate dhe të cilat nga vetë natyra e tyre tërhiqen brenda disa ditëve.” – ka thënë ai.