Cardiology clinic, hospital department. Healthy heart, cardiovascular prevention, healthcare industry idea design element. Electrocardiogram, EKG. Vector isolated concept metaphor illustration

Studiuesit e identifikojnë arsyen e mundshme të dëmtimit të zemrës nga ilaçet kundër kancerit

Ilaçet më të sigurta për kancerin tani janë një hap më afër pasi një studim i ri i udhëhequr nga studiuesit e UCL (University College London) gjeti arsyen e mundshme që disa trajtime e dëmtojnë zemrën.

Ilaçet moderne mund të jenë shumë efektive në trajtimin e kancerit dhe kanë rezultuar me një përmirësim të madh të shkallës së mbijetesës. Megjithatë, disa trajtime të kancerit mund të shkaktojnë dëmtim të zemrës, ose kardiotoksicitet. Ky dëmtim mund të shfaqet në një sërë mënyrash, nga një ndryshim i lehtë në aftësinë e pompimit të zemrës deri te dështimi dobësues i zemrës. Por mënyrat se si këto barna shkaktojnë dëme kanë mbetur të pakuptueshme.

Tani një studim ndërkombëtar, i financuar nga Fondacioni Britanik i Zemrës (BHF) dhe i botuar në revistën Science Advances, ka identifikuar proteina në gjak që janë të lidhura me një rrezik në rritje të zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, duke përfshirë dështimin e zemrës dhe të cilat gjithashtu ndikohen nga barnat që përdoren në trajtimin e kancerit.

Ekipi i lartcekur thotë se gjetjet e tyre mund të shpjegojnë se si ilaçet e kancerit shkaktojnë efekte të dëmshme në zemër dhe mund të ndihmojnë në identifikimin e atyre në rrezik në rritje. Në planin afatgjatë, ata besojnë se kjo do të ndihmojë në përmirësimin e trajtimeve të kancerit, me ilaçe të reja që mund të zhvillohen që mund t’i tkurrin tumoret pa ndikuar në proteinat e identifikuara.

Përveç kësaj, studimi zbulon objektiva të reja të mundshme të ilaçeve për trajtimin e sëmundjeve të zemrës, përfshirë dështimin e zemrës. Këto mund të funksionojnë duke i frenuar proteinat që lidhen me rrezikun më të lartë të sëmundjes, ose duke i aktivizuar proteinat që lidhen me rrezik më të ulët.

Studiuesit fillimisht e kanë kryer një studim të shoqatës së gjenomit, duke kërkuar përmes ADN-së së gati 37,000 njerëzve pa sëmundje të zemrës, të regjistruar në studimin e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo identifikoi variante gjenetike të lidhura me ndryshimet në strukturën dhe funksionin e dhomave të pompimit të zemrës – barkushet.

Gjenet tona i përmbajnë udhëzimet e nevojshme për t’i bërë proteinat, blloqet ndërtuese të trupit. Duke e përdorur një teknikë të quajtur rastësia Mendeliane, studiuesit më pas gjetën 33 proteina, të koduara nga këto variante gjenetike, të cilat janë të pranishme në gjak dhe të lidhura me rrezikun e zhvillimit të disa sëmundjeve të zemrës. Këto përfshinin lloje të ndryshme të dështimit të zemrës dhe fibrilacionin atrial (një ritëm i zakonshëm jonormal i zemrës që e rrit rrezikun e sulmit në tru). Ç’është thelbësore, shumë nga këto proteina janë objektivat e barnave që përdoren aktualisht për trajtimin e kancerit.

Autori kryesor i studimit Dr Floriaan Schmidt (Instituti UCL i Shkencave Kardiovaskulare) deklaron se “proteinat e identifikuara në studimin tonë do të ndihmojnë për ta përshpejtuar zhvillimin e ardhshëm të barnave, duke u ofruar shkencëtarëve një plan për trajtime të reja si për kancerin ashtu edhe për sëmundjet e zemrës. Kjo mund t’i ndihmojë ata të jenë më shumë të sigurt për efektet e barnave që ata i hartojnë – qoftë kjo duke i zvogëluar tumoret pa shkaktuar dëme diku tjetër ose duke e përmirësuar veprimin e pompimit të zemrës”./News-medical.net

Përgatiti: Nuhi Shala