Studimi: Ushqimet ultra të përpunuara ndërlidhen me kancerin e vezoreve dhe sëmundje tjera kanceroze

Konsumimi i më shumë ushqimeve ultra të përpunuara rrit rrezikun e zhvillimit dhe vdekjes nga kanceri, veçanërisht nga kanceri ovarian, sipas një studimi të ri me mbi 197,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, mbi gjysma e të cilëve ishin gra.

Ushqimet tepër të përpunuara përfshijnë supa të parapaketuara, salca, pica të ngrira dhe ushqime të gatshme, si dhe hot dog, salcice, patate të skuqura, pije të gazuara, biskota të blera në dyqan, ëmbëlsira, karamele, donuts, akullore dhe shumë të tjera. 

“Ushqimet ultra të përpunuara prodhohen me përbërës me prejardhje industriale dhe shpesh përdorin aditivë ushqimorë për ta rregulluar ngjyrën, aromën, konsistencën, strukturën ose për ta zgjatur jetëgjatësinë”, thotë përmes një deklarate autori i parë Dr. Kiara Chang, bashkëpunëtore e Institutit Kombëtar për Kërkimin e Shëndetit dhe Kujdesit Shkollor të Shëndetit Publik, Kolegji Imperial në Londër.

“Trupi ynë mund të mos reagojë në të njëjtën mënyrë ndaj këtyre përbërësve dhe aditivëve ultra të përpunuar si ndaj ushqimeve të freskëta dhe ushqyese të përpunuara minimalisht”, shton Chang.

Megjithatë, njerëzit që hanë më shumë ushqime ultra të përpunuara gjithashtu priren të “pinë më shumë pije të gazuara dhe më pak çaj dhe kafe, si dhe më pak perime dhe ushqime të tjera të lidhura me një model të shëndetshëm diete”, thotë përmes e-mailit Duane Mellor, dietologe e regjistruar dhe pedagoge në Shkollën Mjekësore Aston në Birmingham, Mbretërinë e bashkuar.

“Kjo mund të nënkuptojë se mund të mos jetë një efekt veçanërisht i vetë ushqimeve ultra të përpunuara, por në vend të kësaj pasqyron ndikimin e një konsumimi më të ulët të ushqimit më të shëndetshëm”, thotë Mellor, e cila nuk ishte e përfshirë në studim.

Rreziku rritet me konsumin

Studimi, i botuar të martën në revistën eClinicalMedicine, shqyrtoi lidhjen midis ngrënies së ushqimeve ultra të përpunuara dhe 34 llojeve të ndryshme të kancerit gjatë një periudhe 10-vjeçare.

Studiuesit ekzaminuan informacionin mbi zakonet e të ngrënit të 197,426 njerëzve që ishin pjesë e Biobank UK, një bazë të dhënash e madhe biomjekësore dhe burime kërkimore që i ka përcjellur banorët nga 2006 deri në 2010.

Sasia e ushqimeve ultra të përpunuara të konsumuara nga njerëzit në studim varionte nga 9.1% deri në 41.4% të dietës së tyre, zbuloi studimi i lartcekur.

Modelet e të ngrënit u krahasuan më pas me të dhënat mjekësore që i rendisnin si diagnozat ashtu edhe vdekjet nga kanceri.

Çdo rritje prej 10% në konsumin e ushqimit ultra të përpunuar shoqërohej me një rritje prej 2% në zhvillimin e çdo kanceri dhe një rritje prej 19% të rrezikut për t’u diagnostikuar me kancer ovarian, sipas një deklarate të lëshuar nga Imperial College London.

Vdekjet nga kanceri gjithashtu kanë shënuar rritje, zbulon studimi. Për çdo rritje shtesë prej 10% në konsumin e ushqimit ultra të përpunuar, rreziku i vdekjes nga çdo kancer u rrit me 6%, ndërsa rreziku i vdekjes nga kanceri ovarian u rrit me 30%.

Kur bëhet fjalë për vdekjen nga kanceri te femrat, kanceri i vezores renditet i pesti, “duke llogaritur më shumë vdekje se çdo kancer tjetër i sistemit riprodhues femëror”, vuri në dukje Shoqata Amerikane e Kancerit.

“Gjetjet i shtohen studimeve të mëparshme që tregojnë një lidhje midis një proporcioni më të madh të ushqimeve ultra të përpunuara (UPF) në dietë dhe një rreziku më të lartë të obezitetit, sulmeve në zemër, goditjes në tru dhe diabetit të tipit 2”, thotë Simon Steenson, shkencëtar për dietë në Fondacionin Britanik të Ushqyerjes, një organizatë bamirëse e mbështetur pjesërisht nga prodhuesit eushqimit. Steenson nuk ishte i përfshirë në studimin e ri.

“Sidoqoftë, një kufizim i rëndësishëm i këtyre studimeve të mëparshme dhe analizave të reja të publikuara është se gjetjet janë vëzhguese dhe kështu nuk ofrojnë dëshmi të një lidhjeje të qartë shkakësore midis UPF-ve dhe kancerit, ose rrezikut të sëmundjeve të tjera”, tha Steenson përmes e-mailit.

Mbledhja e provave

Njerëzit që i konsumonin ushqimet më ultra të përpunuara “ishin më të rinj dhe më pak të prirë të kishin një histori familjare të kancerit”, shkruan Chang dhe kolegët e saj.

Konsumatorët e lartë të ushqimeve ultra të përpunuara kishin më pak gjasa të bënin aktivitet fizik dhe më shumë gjasa të klasifikoheshin si obezë. Këta njerëz gjithashtu kishin të ngjarë të kishin të ardhura dhe arsim më të ulët familjar dhe të jetonin në komunitetet më të paprivilegjuara, zbuloi studimi.

“Ky studim i shton provave në rritje se ushqimet ultra të përpunuara ka të ngjarë të ndikojnë negativisht në shëndetin tonë, duke përfshirë rrezikun për kancer”, thotë Dr. Eszter Vamos, në një deklaratë, autori kryesor i studimit dhe një lektor i lartë klinik në Shkollën e Shëndetit Publik të Imperial College në Londër në një deklaratë.

Ky studim i fundit nuk është i pari që tregon një lidhje midis konsaumit të lartë të ushqimeve ultra të përpunuara dhe kancerit.

Një studim i vitit 2022 ekzaminoi dietat e mbi 200,000 burrave dhe grave në Shtetet e Bashkuara deri në 28 vjet dhe gjeti një lidhje midis ushqimeve ultra të përpunuara dhe kancerit kolorektal – kanceri i tretë më i diagnostikuar në Shtetet e Bashkuara – tek burrat, por jo tek gratë. 

Dhe ka “thënë fjalë për fjalë, qindra studime (që) lidhin ushqimet ultra të përpunuara me obezitetin, kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe vdekshmërinë e përgjithshme”, thtë për CNN Marion Nestle, profesoreshë Paulette Goddard emerita e të ushqyerit, studimeve ushqimore dhe shëndetit publik në Universitetin e Nju Jorkut.

Ndërsa studimi i ri me bazë në Mbretërinë e Bashkuar nuk mund ta vërtetojë shkakun, vetëm një lidhje, “prova të tjera të disponueshme tregojnë se reduktimi i ushqimeve ultra të përpunuara në dietën tonë mund të sigurojë përfitime të rëndësishme shëndetësore”, tha Vamos.

“Kërkime të mëtejshme nevojiten për t’i konfirmuar këto gjetje dhe për t’i kuptuar strategjitë më të mira të shëndetit publik për ta reduktuar praninë e përhapur dhe dëmet e ushqimeve ultra të përpunuara në dietën tonë”, shtoi ajo./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala