Studimi, si ndikojnë tymrat nga sobat me dru dhe skara në shëndetin tuaj?

Tymi nga gatimi i mishit në skarë, soba me dru dhe trafiku mund të shkaktojnë artrit reumatoid, sugjeron një studim i ri nga revista mjekësore BMJ Open, shkruan Daily Mail.

Studiuesit zbuluan se njerëzit me nivelet më të larta të kimikateve të quajtura hidrokarbure aromatike policiklike – të lëshuara gjithashtu nga tymi i cigares dhe soba me gaz – e kanë rrezikun më të lartë të sëmundjes inflamatore.

Hulumtimi i raportuar në BMJ Open thotë se kimikatet duket se e përbëjnë pjesën më të madhe të ndikimit të pirjes së duhanit në rrezikun e sëmundjes.

Tutje, studiuesit thanë se pak studime e kanë dëshmuar lidhjen e tyre me gjendjet inflamatore, siç është artriti reumatoid.

Sëmundja mendohet të lindë nga një ndërveprim kompleks midis gjeneve, gjinisë, moshës dhe faktorëve mjedisorë, duke përfshirë duhanin, ushqimin dhe stilin e jetesës.

Artriti reumatoid është sëmundja inflamatore më e zakonshme, duke prekur rreth 400,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar sipas Institutit të Shëndetit Publik, NHS. Mund t’i prekë të rriturit në çdo moshë, por më së shpeshti fillon midis moshës 40 dhe 50 vjeç. Rreth tre herë më shumë gra se burrat janë të prekur.

Dr Christopher D’Adamo, nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Maryland-it dhe kolegët thonë se ‘ndërsa që nivelet e PAH priren të jenë më të larta tek të rriturit që pinë duhan… burime të tjera të ekspozimit të PAH përfshijnë mjediset e brendshme, shkarkimin e automjeteve motorike, gazin natyror, tymin nga druri ose zjarret nga qymyri, tymrat nga rrugët e asfaltuara dhe konsumimi i ushqimeve të pjekura në skarë ose të karbonizuar.

“Kjo është me vend pasi familjet me status më të ulët socio-ekonomik përgjithësisht përjetojnë cilësi më të dobët të ajrit të brendshëm dhe mund të banojnë në zonat urbane pranë rrugëve kryesore ose në zona me trafik të lartë”.

Prandaj këta njerëz mund të jenë veçanërisht të cenueshëm, sugjerojnë ata.

Hulumtimi u bazua në të dhënat e mbledhura nga Anketa Kombëtare e Ekzaminimit të Shëndetit dhe Ushqyerjes në SHBA midis 2007 dhe 2016.

Sondazhi vlerëson një shumëllojshmëri të gjerë toksikanësh, duke përfshirë PAH; kimikate që përdoren në prodhimin e plastikës dhe produkteve të ndryshme të konsumit të quajtura PHTHTE; dhe komponimet organike të avullueshme (VOCs), që rrjedhin nga bojërat, agjentët e pastrimit dhe pesticidet, ndër të tjera; së bashku me të dhënat që lidhen me shëndetin, ushqimin, sjelljet dhe mjedisin.

Studimi përfshiu 21,987 të rritur, 1,418 prej të cilëve kishin artrit reumatoid dhe 20,569 prej të cilëve jo.

Mostrat e gjakut dhe urinës janë marrë për ta matur sasinë totale të PAH (7090 respondentë), PHTHTEs (7024) dhe VOCs (7129) në trup.

Shanset e artritit reumatoid ishin më të larta në mesin e atyre që kishin 25 për qind të niveleve më të larta të PAH trupore – pavarësisht nëse ishin duhanpirës të mëparshëm apo aktualë. Nivelet e kimikateve të tjera nuk patën efekt.

Pas llogaritjes së faktorëve potencialisht ndikues, duke përfshirë marrjen e fibrave dietike, aktivitetin fizik, duhanin, të ardhurat shtëpiake, arritjet arsimore, moshën, gjininë dhe peshën (BMI), vetëm një lloj PAH, 1-hidroksinaftaleni, tregoi lidhshmëri të fortë me shanse më të larta të sëmundjës – një rrezik 80 % i rritur.

Autorët thonë se studimi ka karakter vetëm vëzhgues, kështu që nuk mund të përcaktojë nëse kimikatet PAH kanë shkaktuar artrit, dhe as nuk i kanë matur nivelet e metaleve të rënda të cilat më parë kanë qenë të lidhura me rrezikun e artritit reumatoid. Cigaret janë burimi kryesor i metalit të rëndë kadmium.

Mirëpo autorët shkruajnë se “për njohuritë tona, ky është studimi i parë që demonstron se PAH jo vetëm që qëndron në bazë të shumicës së marrëdhënies midis duhanpirjes dhe [artritit reumatoid], por gjithashtu kontribuon në mënyrë të pavarur në të.

‘Kjo është e rëndësishme pasi PAH janë të kudondodhura në mjedis, që rrjedhin nga burime të ndryshme’. PAH-të kontribuojnë në artrit duke shkaktuar një receptor në inde të quajtur shtegu aril, shkruajnë autorët e studimit të lartcekur./Daily Mail

Përgatiti: Nuhi Shala