Studimi i ri: Covid-i afatgjatë ndërlidhet me shkallë më të lartë të vdekshmërisë dhe probleme afatgjata të zemrës

Tri vjet pas pandemisë, dhe pikërisht kur menduam se ndikimi i COVID-19 po zvogëlohej, hulumtimet e reja kanë hedhur më shumë dritë mbi pasojat afatgjata të virusit.

Sipas një studimi të ri të botuar në Forumin Shëndetësor JAMA, njerëzit që u infektuan me COVID-19 në të kaluarën mund të jenë në rrezik më të lartë të problemeve të zemrës dhe mushkërive – madje edhe një rrezik të dyfishuar të vdekjes.

Gjatë një periudhe 12-mujore të përcjelljes, studimi i lartcekur analizoi të dhënat e dëmeve të sigurimit për 13,435 të rritur që kishin një COVID afatgjatë dhe 26,870 individë që nuk kishin virus. Studimi ka marrë parasysh çdo gjendje para-ekzistuese përpara se të ndodhte infeksioni.

Ai zbuloi se grupi i njerëzve me Covid afatgjatë kishte një shkallë më të lartë vdekshmërie krahasuar me grupin pa Covid afatgjatë. Në mënyrë të veçantë, 2.8 për qind e individëve me Covid prej kohësh kishin vdekur krahasuar me vetëm 1.2 për qind të atyre që nuk ishin infektuar me këtë virus.

Studimi më tej e tregon lodhjen, dhimbjen e kokës dhe çrregullimin e vëmendjes si simptomat më të zakonshme të përjetuara nga njerëzit me COVID të gjatë.

“Progresi  më i madh është se COVID-i afatgjatë është një gjendje shëndetësore që ne duhet të vazhdojmë ta studiojmë dhe ta marrim seriozisht. Ne ishim veçanërisht të shqetësuar nga rreziqet e larta të vdekshmërisë për individët me COVID afatgjatë”, thotë Dr. Andrea DeVries, Zëvendës Presidentja e Stafit për Kërkimin e Shërbimeve Shëndetësore në Elevance Health dhe autorja kryesore e studimit, për Euronews Next.

“Bazuar në studimin, individët e diagnostikuar me Covid afatgjatë kishin më shumë se dy herë më shumë gjasa të kishin nevojë për kujdes për ngjarjet kardiovaskulare dhe 3.64 herë më shumë gjasa të kishin një emboli pulmonare. Ky studim zbuloi se Covidi afatgjatë mund të ketë efekte të qëndrueshme në cilësinë e jetës”, shtoi ajo.

Rreziqe më të mëdha për shëndetin me Covid afatgjatë

Gjatë kohës që po kryhej kërkimi dhe shkencëtarët po i studionin rezultatet e COVID-19, një gamë e gjerë simptomash të qëndrueshme janë raportuar që nga fillimi i pandemisë, duke filluar nga dhimbja e kokës dhe problemet e frymëmarrjes deri te rënia e flokëve dhe madje edhe depresioni.

Disa të sëmurë madje kanë raportuar se nuk i kanë rifituar plotësisht shqisat e plota të nuhatjes dhe shijes.

Rezultatet e studimeve i kanë nënvizuar më tej simptomat dhe kanë zbuluar rreziqe edhe më të mëdha për shëndetin.

Për shembull, një tjetër studim i ri kërkimor sugjeron se infektimi me këtë  virus ju bën gjithashtu më të ndjeshëm ndaj problemeve të zorrëve. Ky studim u bazua në krahasimin e të dhënave mjekësore të më shumë se 11.6 milionë personave që kishin COVID-19 në tri vitet e fundit dhe 5.6 milionë njerëzve që nuk u infektuan nga kjo sëmundje në të njëjtën periudhë.

Studimi zbuloi se infektimi me COVID-19 mund të shkaktojë probleme afatgjata gastrointestinale, të tilla si kapsllëk dhe diarre. Ai zbuloi gjithashtu simptoma të tjera, duke përfshirë zbaticën e acidit, fryrjen dhe dhimbjen e stomakut.

Ndërkohë që shumë më tepër kërkime po dalin në dritë rreth temës së lartcekur, Covid-i afatgjatë është shoqëruar me më shumë se 200 simptoma dhe 50 gjendje shëndetësore deri më tani.

Sipas DeVries, gjetjet e hulumtimit e vënë theksin tek nevojëa për të vazhduar me parandalimin e infeksioneve COVID-19 dhe për ta përmirësuar monitorimin e shëndetit të individëve pas një infeksioni.

“Ne shpresojmë që udhëheqësit e politikave dhe të shëndetit publik do t’i konsiderojnë të rëndësishme gjetjet e këtij studimi ndërkohë që i shqyrtojnë tendencat e fundit në përdorimin, shpenzimet dhe rezultatet e kujdesit shëndetësor. Dhe më tej, se ata do të marrin vendime politike dhe programore bazuar në këtë kuptim të informuar të atyre të dhënave”, thotë DeVries për Euroneës./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala